Prej më shumë se një muaji, mijëra shqiptarë protestojnë çdo mbrëmje, ndërsa është vënë në pikëpyetje i gjithë sistemi i kryeministrit Edi Rama…
A mund të jetë Edi Rama një nga viktimat e ardhshme kolaterale të trumpizmit? Duke i ofruar Ivanka Trump dhe Jared Kushner ishullin e Sazanit dhe disa mijëra hektarë bregdet të egër, kryeministri socialist, në pushtet që prej vitit 2013, ndoshta mendonte se do të forconte statusin e tij si njeriu i fortë i vendit dhe do të fitonte simpatinë e Presidentit amerikan.
Por pamjet e shqiptarëve të zemëruar, të dhunuar nga agjentë të sigurisë private gjatë vendosjes së kantierit, nën sytë e një policie pasive, nxitën një nga lëvizjet më të mëdha të protestës që nga rënia e diktaturës në vitin 1991. Këto pamje tërhoqën gjithashtu vëmendjen e mediave ndërkombëtare mbi mënyrën e qeverisjes së Edi Ramës.
Prej më shumë se një muaji, çdo mbrëmje turma shqiptarësh marshojnë poshtë dritareve të tij duke brohoritur: "Shqipëria nuk është në shitje", dhe kërkojnë dorëheqjen e tij. Këto tubime, të gëzueshme dhe plotësisht paqësore, u pagëzuan shpejt me emrin "Revolucioni i flamingove rozë".
Artisti që fillimisht u emërua ministër Kulture dhe më pas kryebashkiak jokonvencional i Tiranës, Edi Rama është paraqitur për një kohë të gjatë si i vetmi njeri i aftë ta fuste Shqipërinë në shekullin XXI. Por sot, në protesta, ai paraqitet i maskuar si gangster, i gatshëm të shesë pasuritë më të çmuara natyrore dhe kulturore të vendit.
Për Gjeneratën “Z” shqiptare, e cila dëgjohet fuqishëm në rrugët e kryeqytetit, ish-basketbollisti profesionist mishëron vetë një sistem politik të gërryer nga klientelizmi dhe interesat mafioze. Një sistem që i shtyn të rinjtë të largohen nga vendi: rreth 160.000 persona janë larguar nga Shqipëria mes viteve 2021 dhe 2026, ndërsa vendi numëron sot vetëm 2,3 milionë banorë, krahasuar me pak më shumë se 3 milionë sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2001.
"Artisti që bën kryeministrin"
Përballë përmasave të protestës, njeriu i fortë i Tiranës denoncon një "luftë hibride" të drejtuar nga interesa të huaja, duke përmendur herë Greqinë, herë Iranin, herë Kosovën (ndonëse Kosova është e banuar në 92% nga shqiptarë). Ai vë gjithashtu në dyshim integritetin e gazetarëve të huaj dhe sulmon disa figura të lëvizjes protestuese në rrjetet sociale.
Në një intervistë për Financial Times, më 23 qershor, ai u tha protestuesve të "shkonin në djall", përpara se të shtonte: "nuk është detyra ime të provoj se nuk jam padrino; është detyra e tyre të provojnë se jam".
Ky poliglot, i cili kultivon ekscentricitetin e tij gjatë samiteve ndërkombëtare, ka treguar më shumë finesë në komunikimin diplomatik. Vitet e fundit, nga Emmanuel Macron te Giorgia Meloni e deri te Ursula von der Leyen, të gjithë kanë përshëndetur "të dashurin Edi", i cili e ka rreshtuar Shqipërinë me qëndrimet gjeopolitike të Bashkimit Evropian, ndërsa anëtarësimi i vendit është përmendur disa herë si i mundshëm deri në vitin 2030.

I rizgjedhur vitin e kaluar për një mandat të katërt, ai e sheh tani pushtetin e tij të dobësuar. Ndërsa rrokaqiejt dhe hotelet luksoze shumohen në një vend ku paga minimale mezi kalon 500 euro, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit, e krijuar në vitin 2019 nën presionin e Brukselit dhe Uashingtonit, ka shtuar hetimet për këto operacione të pasurive të paluajtshme, të dyshuara se lidhen me pastrimin e parave të trafikut të kokainës.
Disa figura të Partisë Socialiste janë vënë nën hetim. Pikërisht këto lidhje denoncojnë protestuesit me thirrjet "Qeveri e krimit", akuza që Edi Rama vazhdon t'i hedhë poshtë.
Për më shumë se një dekadë, "artisti që bën kryeministrin" ka promovuar imazhin e një Shqipërie progresiste dhe moderne, të hapur ndaj investitorëve dhe në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Sot, rrëfimi politik i Edi Ramës po përballet me "Revolucionin e flamingove rozë" dhe me një brez të ri që kërkon më shumë drejtësi dhe demokratizim. /Përshtati Pamfleti nga Le Soir/
Paradoksi është se Soroisti Rama këtë herë po e pëson si Trampist