TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Korrik 2026, 12:30

Beteja për review-t negative, Tabaku 'shigjeton' Ramën: Sistemi i dështuar që punon për pakicën, rrezikon edhe turizmin

Shkruar nga Pamfleti
Beteja për review-t negative, Tabaku 'shigjeton' Ramën:
Jorida Tabaku dhe Edi Rama

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku  i është kundërpërgjigjur deklaratave të kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po përpiqet të shmangë përgjegjësinë për situatën ekonomike në vend përmes, siç shprehet ajo, “vetëviktimizimit” dhe krijimit të armiqve imagjinarë.

Përmes një reagimi në Facebook, Tabaku rrëzon pretendimet e Ramës për një sulm të organizuar ndaj Shqipërisë dhe thotë se realiteti është krejt tjetër.

“Kryeministrit i ka mbetur vetëm vetëviktimizimi dhe sajimi i armiqve të brendshëm e të jashtëm, për të ndërtuar alibinë e dështimit të tij. Nuk ka asnjë agresion të organizuar politik apo ekonomik kundër Shqipërisë. Ka qytetarë që janë ngritur kundër një qeverie dhe një sistemi që punon për pakicën dhe varfëron shumicën”, deklaron Tabaku.

Deputetja demokrate thekson se problemet ekonomike nuk mund të mbulohen me propagandë, pasi, sipas saj, ato reflektohen çdo ditë në jetën e qytetarëve.

“Dështimi ekonomik nuk fshihet dot pas propagandës. Ai është në tryezën gjithnjë e më të varfër të familjeve shqiptare. Është te pensionistët që jetojnë në kufijtë e varfërisë, ku 27% e tyre konsiderohen të varfër sipas çdo standardi kombëtar dhe ndërkombëtar”, shprehet ajo.

Në reagimin e saj, Tabaku ndalet edhe te sektori i turizmit, të cilin e cilëson një nga shtyllat kryesore të ekonomisë, por që sipas saj po dëmtohet nga mënyra e qeverisjes.

“Edhe turizmi, një nga shtyllat kryesore të ekonomisë, rrezikohet nga ky sistem i padrejtë, nga korrupsioni, informaliteti dhe mungesa e vizionit”, thekson deputetja.

Tabaku akuzon qeverinë se ka ngritur një model që favorizon një pakicë në dëm të shumicës së qytetarëve.

“Ky sistem i pakicës ka krijuar moçalin që po fundos ekonominë dhe po largon shqiptarët nga vendi i tyre. Gjithçka tjetër është propagandë e vjetër dhe një përpjekje e dëshpëruar për të mbajtur në këmbë karakatinën e pushtetit. Koha është për ndryshim. Koha është të hapim një faqe të re për Shqipërinë”, përfundon reagimi i saj.

 

beteja për review-t negative

Lini një Përgjigje