TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Mars 2026, 20:52

Gara për kreun e partisë, zgjidhet drejtuesi i PD në Durrës

Shkruar nga Pamfleti

Gara për kreun e partisë, zgjidhet drejtuesi i PD në Durrës

Gara për kreun e Partisë Demokratike në Degën Nr. 2 në Durrës është mbyllur me fitoren e Osman Stafës, i cili është zgjedhur kryetar i ri i demokratëve në këtë degë. Stafa ka siguruar 336 vota, duke lënë pas kandidatin tjetër Selman Drizi, i cili ka marrë 238 vota.

Procesi në Durrës është zhvilluar me votim mes anëtarësisë, duke sjellë një rezultat të qartë në favor të Stafës, i cili pritet të marrë drejtimin e strukturës lokale të PD-së në qytetin bregdetar.

Ndërkohë, gara brenda Partisë Demokratike është zhvendosur edhe në Elbasan, ku gjatë ditës së sotme po zhvillohet procesi për zgjedhjen e drejtuesit të degës. Në garë janë disa kandidatë si: Durim Çekrezi, Elior Vila, Lumturi Hasa, Sokol Shkëlzeni dhe Alis Narazani, ndërsa procesi është shoqëruar me tensione dhe debate të brendshme.

Pas përjashtimit të dy këshilltarëve bashkiakë në Durrës, Dritan Burgija dhe Arlind Boshku, Partia Demokratike përjashtoi sot edhe katër anëtare të tjera: Alesia Balliun, Doris Madhin, Zheni Gjergjin dhe Rudina Allën.

Një nga zhvillimet më të diskutuara në këtë degë është përjashtimi i Doris Madhit nga gara, një vendim që ka nxitur reagime dhe pikëpyetje brenda strukturave të partisë. Ende nuk ka një sqarim të plotë publik mbi arsyet e këtij përjashtimi.

Akademikja Doris Madhi, denoncoi publikisht përjashtimin e saj nga lista e anëtarësisë së Partisë Demokratike në këtë degë, duke ngritur akuza të forta për manipulim të procesit zgjedhor.

Në një deklaratë për mediat, Madhi bëri me dije se emri i saj nuk figuron në listat e anëtarësisë, ndonëse është pjesë e PD-së prej afro tetë vitesh dhe një nga zërat më aktivë në strukturat lokale.

Lini një Përgjigje