
Procesi zgjedhor në degët e Partisë Demokratike në disa qytete të vendit ka përfunduar, duke konfirmuar në detyrë drejtuesit aktualë në Përmet dhe Tepelenë, ndërsa në Kukës u shpall fitues Rrahman Demaj.
Në Përmet, Arson Lipe arriti të ruajë postin e kryetarit pas një gare me Roland Bonjon, ndërsa në Tepelenë, Malo Sadikaj u rizgjodh në krye të degës përballë kandidatëve Sevo Mici dhe Laviola Guma.
Ndërkohë, në Kukës, gara u mbyll me një rezultat të thellë në favor të Rrahman Demajt, i cili siguroi 642 vota kundrejt 273 të rivalit Sabah Cenaj. Në proces morën pjesë 927 anëtarë nga rreth 1700 të regjistruar, duke reflektuar një pjesëmarrje të konsiderueshme.
Pas shpalljes së rezultatit, Demaj falenderoi mbështetësit dhe u shpreh i angazhuar për bashkimin e strukturave dhe forcimin e degës. Nga ana tjetër, rivali i tij e pranoi rezultatin, duke e cilësuar procesin të rregullt dhe theksoi nevojën për unitet brenda partisë.
Lini një Përgjigje