Deputetja Marjana Koçeku, e cila prej disa kohësh është larguar nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, ka folur në detaje mbi arsyet e këtij vendimi, duke deklaruar se tashmë e konsideron veten një deputete të pavarur.
E ftuar në programin e drekës në News24, Koçeku tha se vendimin e kishte marrë prej kohësh dhe se nuk kishte lënë hapësirë për ndikim nga askush.
Ajo zbuloi se kolegët e saj në Kuvend, drejtuesit e Partisë Socialiste, qeveria, por edhe familjarët, e mësuan vendimin përmes rrjeteve sociale, pasi kishte zgjedhur të mos e diskutonte paraprakisht me ta.
"Çdokush, përfshi qeverinë, Parlamentin dhe familjen, e kanë marrë vesh në rrjetet sociale, sepse nuk doja të lija asnjë hapësirë influencimi. Kam pasur shumë telefonata nga krerët e Partisë Socialiste dhe nga kryeministri. Ramës ia komunikova disa ditë më vonë se ky ishte një hap përfundimtar dhe se nuk do të kishte tërheqje mbrapa. Ka pasur tentativa për të më bindur, por ky është vendimi im. Këto kohë kam parë pakënaqësi te anëtarët e PS-së, pakënaqësi lehtësisht të lexueshme dhe uroj të gjejnë kurajon për të bërë funksionin për të cilin janë aty. Nuk jemi të përjetshëm", tha Koçeku.
Deputetja deklaroi se ka marrë mbështetje edhe nga figura brenda Partisë Socialiste, por tha se nuk dëshiron t'i bëjë publikë emrat e tyre, duke respektuar privatësinë e secilit.
"Dua të respektoj privatësinë e atyre që më kanë mbështetur. Reagimin tim për kërcënimet e kam bërë publik dhe jam mjaftuar me atë mesazh, i cili ka qenë mbi baza të forta. Kam qenë pjesë e listës së mbyllur dhe kam kryesuar listën e Shkodrës. Kështu e gjeta këtë sistem. Betimin e kam bërë mbi Kushtetutën dhe jo mbi Statutin e Partisë Socialiste, ndaj nuk braktiset një betim. Sot e konsideroj veten të pavarur. Me PS ndaj vetëm të njëjtin Parlament. Do të sjell shumë kauza në interes të shqiptarëve dhe për mua e rëndësishme është liria e ndërgjegjes për të votuar pro ose kundër ligjeve", u shpreh deputetja.
Duke shpjeguar arsyet që e shtynë të largohej nga Partia Socialiste, Koçeku tha se vendimi ishte rezultat i një procesi disa mujor dhe i pakënaqësive të grumbulluara, veçanërisht për çështjet e mjedisit, pronësisë dhe zhvillimit të zonës nga ku vjen.
"Protesta më motivoi shumë për këtë vendim, si diçka frymëzuese që vjen nga brezi im, gjenerata e re që i përkas. Ka pasur një histori ngjarjesh gjatë 10 muajve të fundit që më kanë shtyrë drejt idesë se nuk i përkas më këtij grupi politik. I kam ngritur këto problematika në mbledhjet e grupit, në nivel lokal dhe qendror. Kam folur për çështjen e lumit Drin, ku jam rritur, por nuk kam marrë përgjigjen që kam pritur. Nuk është treguar vëmendja e duhur për mjedisin dhe kjo është një çështje që kërkon ndërgjegjësim", deklaroi Koçeku.
Ajo u ndal edhe te problematikat e pronësisë dhe përvoja e saj përpara hyrjes në politikë, duke theksuar se motivimi për t'u angazhuar në jetën publike lidhej me zhvillimin e zonës së Malësisë së Shkodrës dhe mbështetjen për sipërmarrjen.
"Në mbledhjet e grupit kam folur edhe për problematikat e Kadastrës dhe ligjin e saj. Vij nga Malësia e Shkodrës dhe i njoh nga afër problemet e banorëve. Duhet të ketë qartësim ligjor, pasi mbivendosjet ligjore po pengojnë qytetarët të marrin pronat e tyre. Para se të hyja në politikë kam pasur një biznes agroturizmi me familjen time, i cili u bë i njohur edhe në mediat ndërkombëtare. Më pas u bëra pjesë e podcast-it të kryeministrit Rama, ku prezantova vizionin dhe problematikat e zonës. Dy shtysat kryesore që më futën në politikë ishin sipërmarrja dhe zhvillimi i vendlindjes. Kur erdhi ky moment dhe mundësitë ishin të kufizuara, vendosa ta marr përsipër këtë angazhim publik për t'u ardhur në ndihmë banorëve të mi", përfundoi deputetja Marjana Koçeku.
Lini një Përgjigje