Ju ftoj që të jeni aktivë për të vlerësuar e ruajtur në këtë nivel pavarësinë e këtij institucioni aset të shtetit shqiptar, duke qenë i sigurt se po i shërben dhe do t’i shërbejë ruajtjes së garancive të çdo qytetari...
Në takimi e parë të nismës më të re të dialogut mes institucioneve dhe aktorëve të politikëbërjes, “IDM Morning Briefing”, veç kryetarit të SPAK, z. Altin Dumani foli edhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit z. Arben Shehu.
Zoti Shehu, (institucioni të cilin drejton u vlerësua nga kryetari Dumani, për përgjegjshmëri në bashkëpunimin me prokurorinë speciale) e vlerësoi SPAK si një strukturë hetimore elitë të shtetit Shqiptar që ka ngjallur shpresën jo vetëm tek individët por edhe tek institucionet.
Pavarësia e SPAK ishte edhe momenti më i rëndësishëm, në të cilin u ndal Zoti Arben Shehu, duke u shprehur kategorik në ruajtjen e saj...
‘’Prokuroria speciale është sot struktura hetimore elite e shtetit shqiptar. Ajo është produkt i punës së institucioneve shqiptare nën mbështetjen e madhe të institucioneve ndërkombëtare dhe partnerëve të shtetit shqiptar.
Përgjatë kësaj periudhe ajo ka arritur që jo vetëm të përballojë nevojat e shoqërisë shqiptare por jam i sigurt se ka justifikuar e rritur besimin dhe te institucionet ndërkombëtare.
Trupa e prokurorëve, drejtuar nga z. Altin Dumani vjen si pjesë e një rrugëtimi prej vitesh në sistemin e drejtësisë. Eksperienca e tyre së bashku me nivelin e lartë profesional është bërë një produkt i vërtetë besimi për shoqërinë shqiptare. Të gjithë kemi parasysh rezultatet e deritanishme, të cilat kanë bërë që Spak të kthehet në një adresë shprese për individët dhe institucionet në përgjithësi.
Të nderuar pjesëmarrës!
Unë mendoj se një faktor që ka ndikuar shumë në këtë proces është dhe pavarësia e kësaj strukture. Pavarësia është e panegociushme!
Ju ftoj që të jemi të vëmendshëm për të evidentuar çdo tendencë për monitorim apo më keq të rritjes së kontrollit. Në këtë drejtim media shqiptare ka luajtur e po luan një rol tepër të rëndësishëm. Pavarësia e institucioneve është garanci për demokracinë dhe jetën e qytetarëve.
Të nderuar pjesëmarrës!
Ju ftoj që të jeni aktivë për të vlerësuar e ruajtur në këtë nivel pavarësinë e këtij institucioni aset të shtetit shqiptar, duke qenë i sigurt se po i shërben dhe do t’i shërbejë ruajtjes së garancive të çdo qytetari”, përfundoi fjalën e tij Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Arben Shehu/Pamfleti
Lini një Përgjigje