Prej më shumë se dy orësh kryeministri Edi Rama është kia pritur një e nga një të 47 liderëve evropianë që marrin pjesë në Samitin e organizuar sot në Tiranë.
Teksa ka pritur duke u shtrënguar dorën secilit prej liderëve, kreu i qeverisë shqiptare në një moment është parë teksa bënte fizkulturë, në pritje të liderit të fundit, presidentit të Francës Emanuel Macron i cili vetëm pak minuta më parë ka mbërritur në aeroportin e Rinasit.
Sot në Shqipëri po mbahet Samiti i Gjashtë i Komunitetit Politik Evropian me moton "Evropa e re në një botë të re", duke mbledhur së bashku kryetarë shtetesh dhe qeverish si dhe përfaqësues të institucioneve kryesore ndërkombëtare.
Në samit marrin pjesë liderët e vendeve anëtarë të BE-së, vendeve të rajonit, si të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Bosnjë e Hercegovinës dhe vendeve të tjera evropiane, si dhe udhëheqës të institucioneve të BE-së dhe përfaqësues të NATO-s, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës.
Diskutimet do të zhvillohen në disa sesione tematike të nivelit të lartë, ku do të përqendrohen në sigurinë dhe qëndrueshmërinë demokratike të Evropës, konkurrueshmërinë dhe sigurinë ekonomike, dinamikat komplekse të emigrimit dhe lufta Rusi-Ukrainë.
Në përfundim të punimeve të samitit do të mbahet një konferencë për media nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, vendi i së cilës do të presë vitin e ardhshëm Samitin e Komunitetit Politik Evropian.
Lini një Përgjigje