
Tragjedia e Ragip Gilës nuk ishte rastësi, por pasojë e një pazari politik, ku listat e amnistisë u diktuan nga klanet mafioze...
Masakra e ndodhur në Shkodër ditën e parë të shkollës, kur pranë bashkisë së qytetit Ragip Gila vrau 2 persona, plagosi 2 dhe më pas aksidentoi tre të tjerë, ishte një tragjedi e paralajmëruar.
Paralajmërimi vinte nga një vendim politik i Parlamentit për të liruar nga burgu një listë të gjerë të dënuarish me atë që u quajt “amnistia e vitit 2024”. Një amnisti e votuar bashkë nga mazhoranca dhe opozita, në prag zgjedhjesh, sikur bëhej fjalë për një reformë historike.
Shqipëria është ndoshta i vetmi vend që e kthen amnistinë në akt politik. Në vende serioze, amnistia prek të moshuar, të sëmurë apo persona që janë sjellë mirë në burgje, por kurrë kriminelë aktivë me lidhje të forta.
Tek ne, “rastësisht”, amnistia favorizon njerëz të rrezikshëm, si Ragip Gila, i njohur prej vitesh nga policia e Shkodrës, i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe i kapur disa herë në veprimtari kriminale.
Një drejtësi funksionale do të kishte hetuar nëse një i dënuar për armëmbajtje pa leje kishte lidhje me klane kriminale. Po të konstatohej kjo, ai nuk duhej të përfitonte nga amnistia. Përndryshe, shteti jep sinjal që kush mban armë pa leje do të dalë shpejt, duke nxitur përsëritjen e veprës. Në çdo koncept të së drejtës penale, funksioni i dënimit është parandalimi i krimit, jo thjesht ndëshkimi i tij.
Ragip Gila ishte vetëm njëri nga shumë përfituesit e amnistisë. Shumë të tjerë nuk ishin të dënuar për armëmbajtje, por për korrupsion dhe shpërdorim detyre, të hetuar apo të ndëshkuar nga SPAK. Po të shohësh listën e amnistisë, kuptohet se nuk ishte hartuar mbi kritere të përgjithshme, por për persona të caktuar.
Burime të ndryshme flasin se listat kanë kaluar në zyrat e Edi Ramës dhe Sali Berishës, që kanë amnistuar njerëz të lidhur me korrupsionin dhe krimet paramafioze. Sipas gjasave, sugjerimet kanë ardhur nga grupet kriminale. Nëse SPAK do të hetojë me seriozitet këtë çështje, mund të zbulojë lehtësisht se kush propozoi amnistimin e Ragip Gilës dhe kush e futi atë në listë. Sepse deputetët, siç dihet, janë thjesht ‘numërorë topi’./Pamfleti
Lini një Përgjigje