TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Qershor 2026, 18:35

Meksi u bashkohet rebelëve të PS-së, kërkon ndryshim të modelit 'Rama': Më pak pushtet për kryetarin!

Shkruar nga Pamfleti
Meksi u bashkohet rebelëve të PS-së, kërkon ndryshim të
Ermelinda Meksi dhe Edi Rama

Ajo propozon rikthimin e zgjedhjeve dhe rifreskimit të strukturave të Partisë Socialiste çdo katër vjet, si një mënyrë për të garantuar përfaqësim, ekuilibër dhe legjitimitet të brendshëm.

Ish-ministrja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi është rreshtuar krah kritikëve të Edi Ramës. Meksi kërkon reflektim të thellë mbi funksionimin e brendshëm të Partisë Socialiste, duke theksuar se demokratizimi i saj nuk duhet të mbetet një slogan, por të shndërrohet në një proces real politik dhe statutor.

Meksi nënvizon se sfida kryesore për çdo parti politike është ruajtja e aftësisë për t’u vetëkorrigjuar. Sipas saj, një parti që nuk reflekton mbi veten, nuk pranon kritikën dhe nuk rinovon mekanizmat e saj të brendshëm, rrezikon të humbasë lidhjen me anëtarësinë dhe me shoqërinë.

Ajo propozon rikthimin e zgjedhjeve dhe rifreskimit të strukturave të Partisë Socialiste çdo katër vjet, si një mënyrë për të garantuar përfaqësim, ekuilibër dhe legjitimitet të brendshëm.

Meksi shprehet se Asambleja Kombëtare duhet të jetë produkt i vullnetit të delegatëve të Kongresit dhe jo të ndërtohet mbi anëtarësime ex officio, të cilat, sipas saj, zbehin peshën e zgjedhjes demokratike. Ajo argumenton se deputetët dhe kryetarët e bashkive kanë përgjegjësi të rëndësishme publike, por nuk mund të zëvendësojnë vullnetin e anëtarësisë dhe të forumeve përfaqësuese të partisë.

Reagimi i plotë:

I bashkohem reflektimit tënd Ilir Zela, i cili ngre një çështje thelbësore: demokratizimi i Partisë Socialiste nuk mund të mbetet thjesht slogan, por duhet të shndërrohet në një proces real politik dhe statutor.

Mesazhi kryesor i këtij propozimi lidhet me synimin për të shmangur rrezikun që kërcënon nje organizatë politike si PS, atë të humbjes se aftësisë për t’u vetëkorrigjuar. Një parti që nuk reflekton mbi veten, që nuk hapet ndaj kritikës dhe që nuk rinovon mekanizmat e saj të brendshëm, rrezikon të humbasë lidhjen me anëtarësinë dhe me shoqërinë.

Nëse duam një PS më të hapur, më përfaqësuese dhe më të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të kohës, duhet kurajë për t’ju rikthyer atyre parimeve që dikur garantonin ekuilibër, përfaqësim dhe legjitimitet të brendshëm, nëpërmjet zgjedhjeve e rifreskimit te strukturave te PS çdo 4 vjet.

Asambleja Kombëtare duhet të jetë produkt i vullnetit të delegatëve të Kongresit dhe jo të ndërtohet mbi anëtarësime ex officio që zbehin peshën e zgjedhjes demokratike. Deputetët dhe kryetarët e bashkive kanë përgjegjësi të rëndësishme publike, por ato nuk mund të zëvendësojnë vullnetin e anëtarësisë dhe të forumeve përfaqësuese të partisë. Aq më tepër kur një pjesë e madhe e deputetëve janë produkt i listave të mbyllura, çka e dobëson edhe më tej lidhjen e tyre direkte me bazën.

Po aq e rëndësishme është edhe rishikimi i mënyrës së zgjedhjes së kryetarit.

Përvoja e viteve të fundit tregoi se modeli “një anëtar, një votë”, në kushtet e mungesës së garës reale dhe të pabarazisë së instrumenteve politike, jo domosdoshmërisht prodhoi më shumë demokraci të brendshme. Përkundrazi, ai shpesh u shndërrua në një mekanizëm që forcoi më tej pushtetin e kryetarit mbi partinë. Kryetari duhet të marrë legjitimitetin e tij nga Kongresi, cdo 4 vjet,përmes debatit të hapur, konkurrencës së ndershme dhe përballjes së alternativave.

Partia Socialiste ka nevojë për më shumë kolegjialitet, më shumë debat, më shumë meritokraci dhe më shumë hapësirë për mendimin ndryshe. Vetëm kështu mund të rifitojë energjinë, besimin dhe rolin që historikisht ka pasur në jetën politike të vendit.

Socialistë ne moshe te re dhe me përvojë si ju, por edhe brezi më i ri që mbart energji dhe ide të reja, kanë kapacitetin për të iniciuar dhe udhëhequr këtë proces ripërtëritjeje. Koha kërkon guxim për të ndryshuar dhe mençuri për të ruajtur vlerat më të mira mbi të cilat u ndërtua Partia Socialiste.

ermelinda meksi edi rama kritika ps

1 Komente

  1. M
    Muhabet lepujsh

    Azinus AZINUM fricat. ( gonari ferkohet mbas gomarit) -ferkohen midis vedit kane patur të njejtin hall - ritmi i PS ndryshe i nxori në breg si leshteriket..

    Lini një Përgjigje