TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Dhjetor 2025, 22:21

“Molotov ndaj Ramës”, protesta e opozitës jehonë në mediat ndërkombëtare

Shkruar nga Pamfleti
“Molotov ndaj Ramës”, protesta e opozitës jehonë
Momente nga protesta e opozitës, foto e "Reuters"

Protesta e opozitës shqiptare ka bërë jehonë në mediat ndërkombëtare, duke u pasqyruar gjerësisht si një shenjë e tensioneve në rritje mes qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe akuzave të rënda për korrupsion në nivelet më të larta të pushtetit.

Agjencia prestigjioze Reuters raportoi se qindra protestues në Tiranë hodhën bomba molotovi ndaj godinës së Kryeministrisë të hënën, duke kërkuar dorëheqjen e Ramës pas ngritjes së akuzave penale ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Edhe Balkan Insight theksoi numrin e madh të qytetarëve që iu përgjigjën thirrjes së Partisë Demokratike për të protestuar përballë Kryeministrisë, ndërsa citonte deputetin Belind Këlliçi të deklaronte se “kjo është vetëm fillimi”. Mediat vërejnë se protestat vijnë në një moment kur SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit të Ballukut për arrestim, në një hetim që përfshin edhe figura të tjera qeveritare dhe drejtues të institucioneve strategjike si AKSHI.

Sipas Global Banking & Finance, akuza për korrupsion në dhënien e tenderëve publikë për projekte infrastrukturore shumëmilionëshe kanë ndezur zemërimin qytetar. Media britanike citon protestues që e përshkruajnë situatën si “të turpshme” dhe të papranueshme, ndërsa Balluku i ka quajtur akuzat ndaj saj “përbaltje, gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra”.

Pavarësisht presionit publik dhe ndërhyrjes së SPAK, shumica socialiste në parlament nuk ka dhënë ende sinjal për të lehtësuar procedurën e arrestimit, ndërsa pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Ballukut në janar. Në këtë klimë politike të tensionuar, mediat ndërkombëtare vërejnë se protesta e së hënës në Tiranë është shndërruar në një sinjal të qartë se pakënaqësia me qeverinë nuk është më vetëm çështje opozitare, por një shqetësim që ka kaluar edhe në vëmendjen globale.

flake protesta opozita

Lini një Përgjigje