
Grupi Parlamentar i PD ka depozituar sot një kërkesë zyrtare për shpalljen e pavlefshmërisë së seancës plenare të mbajtur sot, ku u miratua programi politik dhe përbërja e Këshillit të Ministrave. Sipas opozitës, seanca u zhvillua në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, duke përjashtuar opozitën nga fjala dhe duke mbyllur debatin në mënyrë të njëanshme.
Në dokumentin e firmosur nga kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, thuhet se Kryeministri Edi Rama shmangu detyrimin kushtetues për të prezantuar programin qeverisës dhe në vend të kësaj, ia kaloi fjalën një “ministreje virtuale” të quajtur Diella. “Ky ishte një veprim prej karagjozi, një shfaqje propagandistike që cenon seriozitetin e një akti kushtetues”, deklaron Bardhi në kërkesë. Ai shton se deputetëve të opozitës nuk iu dha fjala për procedurë, në kundërshtim me nenin 49 të Rregullores, ndërsa seanca u mbyll pa respektuar nenin 110 që detyron zhvillimin e diskutimeve për programin dhe qeverinë e re.
Për Partinë Demokratike, mazhoranca ka përdorur Kuvendin si tribunë propagande, duke shndërruar një proces kushtetues në farsë. “Nuk ishte prezantim programi, por një shfaqje e turpshme që tregon se Rama nuk ka guxim të përballet me opozitën dhe opinionin publik”, thuhet në reagimin e opozitës.
Ky hap i PD pritet të ndezë një betejë të re politike e ligjore mbi legjitimitetin e qeverisë së re. Përplasja tashmë nuk është vetëm për programin, por për mënyrën si po përdoret Parlamenti, në një kohë kur shoqëria shqiptare pret transparencë dhe debat real mbi drejtimin e vendit.
Grupi parlamentar i PD thekson se:
-Kryeministri refuzoi të paraqiste programin politik në mënyrë të plotë;
-Deputetët u penguan të shtronin pyetje apo të merrnin pjesë në debat;
-U shkelën të drejtat e fjalës të garantuara për çdo deputet dhe kryetar grupi parlamentar;
-Procesi i votimit u zhvillua në kundërshtim me nenin 97 të Kushtetutës dhe Rregulloren e Kuvendit.
PD kërkon: Rithirrjen e seancës plenare, me të njëjtin rend dite, por me ndjekjen e plotë të procedurave parlamentare dhe shmangien e çdo provokimi dhe propagande, duke respektuar rregullat dhe duke ruajtur seriozitetin institucional të Kuvendit.
Lini një Përgjigje