Kryeministri Edi Rama foli në Bordin e Paqes ku vlerësoi rolin e Presidentit Donald Trump në arritjen e armëpushimit në Gaza. Në të njëjtën kohë, ai shfrytëzoi forumim për të ngritur çështjen e dialogut Kosovë–Serbi dhe situatën e ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë...
Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në Bordin e Paqes, ku ashtu sikundër pritej, nuk ndali lavdet për presidentin Donald Trump.
Pas presidentit Trump dhe anëtarëve të tjerë drejtues të Bordit, e morën fjalën disa prej liderëve pjesëmarrës. Rama e nisi fjalën me falënderime për Trump, teksa u ndal te zërat se Bordi do të zëvendësojë OKB. Po ashtu përmendi dhe gjyqin që po bëhet në Hagë ndaj ish-liderëve të UÇK.
“Faleminderit që më ftuat të jem pjesë e këtij rrugëtimi. Në votën e linjëzuar në parlamentin tonë flet vetë sesa e nderuar është Shqipëria. Shumë thonë se Bordi i Paqes është për të zëvendësuar OKB-në. Nuk më duket si një zëvendësim, por nëse ndihmon për ta shkundur. Zoti e bekoftë Bordin e Paqes”, u shpreh Rama.
Duke iu referuar konfliktit në Lindjen e Mesme, kryeministri shqiptar përgëzoi, sipas tij, rolin e presidentit Trump.
“Ne përgëzojmë rolin tuaj vendimtar për t’i dhënë fund konfliktit zemërthyes në Gazë. Unë kam propozuar që ky bord të ftojë të gjitha vendet të kontribuojnë për fasilitetin publik për fëmijët e Palestinës. Duke bërë këtë do ndihmojmë pengjet më të pafajshme të çmendurisë së Hamasit”, deklaroi ai.
Në vijim, Rama shtoi: “Jo vetëm duke vendosur paratë, por edhe duke sjellë arkitektët tanë që bota të shndërrojë plagët në shenja shprese. Shqipëria është nder në këtë zinxhir.”
Kryeministri ndaloi edhe te çështja e Kosovës dhe procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë.
“Më lejoni që të sjell vëmendjen tek një konflikt shumë afër Shqipërisë. Presidenti i Kosovës në atë kohë u ndalua që të firmoste marrëveshjen me Presidentin Trump, sot Presidenti i Kosovës ka kaluar 6 vite në paraburgim në Hagë. Disa këtu duhet të jenë të turpëruar për atë proces. Në këtë moment vetëm pak muaj qëndrojmë mes një burri që qëndroi ndaj një spastrimi etnik. Ju falënderoj shumë që përfshitë Shqipërinë në këtë Bord”, u shpreh Rama.
Pra sikundër pritej, Rama e shfrytëzoi këtë takim për ti thurur lavde Trump me shpresën se do të marrë mbështetje. Ndërsa padyshim la përshtypje duke ngritur si çështje gjyqin e Hagës.
Fjalimi i plotë
Ju falënderoj që më ftuat të jem pjesë e këtij rrugëtimi, zoti President. Vota e plotë dhe e unifikuar dypartiake në parlamentin tonë në mbështetje të kësaj nisme flet vetë për nderin që ndien Shqipëria si anëtare themeluese e kësaj organizate të re.
Shumë në Evropë thonë se Bordi i Paqes synon të zëvendësojë Kombet e Bashkuara. Mua nuk më duket si një përpjekje për të zëvendësuar OKB-në, por nëse ndihmon për ta tundur atë gjigant të ngurtësuar dhe, inshallah, për ta zgjuar, atëherë Zoti e bekoftë Bordin e Paqes.
Zoti President, ne e vlerësojmë rolin tuaj vendimtar në ndalimin e konfliktit rrëqethës në Gaza. Shqipëria ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në forcën e stabilizimit me trupat tona.
Në të njëjtën kohë, propozoj që ky bord t’i ftojë të gjitha vendet të kontribuojnë drejtpërdrejt duke ndërtuar një strukturë publike të dedikuar për fëmijët palestinezë. Duke vepruar kështu, bota do të ndihmonte fëmijët e Gazës, të cilët janë pengjet më të pafajshme të çmendurisë së Hamasit, të rriten nën praninë e prekshme të zinxhirit më të madh të duarve që njerëzimi ka bashkuar ndonjëherë.
Jo vetëm duke dhënë fonde, por duke sjellë edhe arkitektët e tyre në këtë proces, në mënyrë që bota të shndërrojë një plagë të historisë në një oaz shprese, ku dhembshuria merr formë konkrete dhe e ardhmja ndërtohet rreth atyre që e meritojnë më shumë, brezave të rinj palestinezë. Shqipëria do ta kishte privilegj të qëndronte në atë zinxhir.
Më lejoni shumë shkurtimisht të tërheq vëmendjen tuaj për një tjetër konflikt të hapur, më pranë nesh, ku udhëheqja e Presidentit Trump gjatë mandatit të tij të parë e afroi Kosovën dhe Serbinë më shumë se kurrë drejt një marrëveshjeje përfundimtare paqeje.
Presidenti i Kosovës atëherë u pengua brutalisht të udhëtonte drejt Shtëpisë së Bardhë për të nënshkruar atë marrëveshje në praninë e Presidentit Trump. Kjo, sipas fjalës, ishte vepër e të njëjtit prokuror që ndërmori veprime edhe ndaj vetë Presidentit Trump dhe që për këtë u bë i njohur në mbarë botën.
Sot, Presidenti i Kosovës ka kaluar gjashtë vite në paraburgim para një gjykate speciale në Hagë, e mbështetur nga disa shtete demokratike, disa prej të cilave janë të pranishme këtu, të cilat duhet të turpërohen për këtë lloj drejtësie ndërkombëtare.
Vetëm javën e kaluar, zoti President, një tjetër prokuror, i financuar nga ky vend i madh dhe taksapaguesit e tij, kërkoi 45 vjet burg për të, një kërkesë që shkaktoi tronditje dhe ndjenjë poshtërimi në një komb që kërkon paqe.
Në këtë moment, vetëm pak muaj e ndajnë një njeri që u ngrit nga rezistenca ndaj spastrimit etnik për t’u bërë paqebërës, nga një rezultat potencialisht shkatërrues në një gjykatë që, sipas deklaratës, deri më tani ka dështuar në çdo hap për të respektuar standardet e drejtësisë demokratike.
Për hir të Zotit, zoti President, le të bëjmë diçka përpara se, siç thoni ju, të ndodhin sërish gjëra shumë të këqija.
Dhe edhe një herë, ju falënderoj shumë që përfshitë Shqipërinë në këtë nismë fisnike. Duke afruar miq të ngushtë të Izraelit dhe të vendeve arabe, ne shpresojmë të jemi një vlerë e shtuar në vizionin tuaj ambicioz.
Pergezime Z. Kryeminister, me se paku ekziston dikush qe e ngren zanin aty ku duhet ndaj padrejtesise qe po u bahet luftetareve te lirise. Te tjeret ne dy anet e kufinit duan vetem me ba protagonistin ne forume me 5-10 njerez pa fuqi reale