
Arkitektura e harresës dhe piramidat e pafytyrësisë
Ndërsa Europa e ruan historinë, Shqipërìa e shemb. Rijetëzimi i Tiranës nën firmën e Edi Ramës po ndjek logjikën e prishjes së çdo gjëje që nuk i shkon për shtat kryeministrit. Ndërtesat bien, ligjet heshtin, qyteti zhduket. Dhe qytetarët, si gjithmonë, vënë kapelen e durimit për të mos nxjerrë zë nga goja.
Shqipërëa, në thelb, ka ndërmarë një mision unikal: të zhvillojë një civilizim të ri mbi gërmadha vetjake. Kjo nuk është metaforë. Mjafton të kalosh nëpër aksin që fillon te Universiteti Politeknik e përshkon Tiranën drejt qendrës, për të parë se çfarë do të thotë rijetëzim sipas estetikës së betejës kundër kujtesës. Piramida, në vend që të ruhej si relike e një kohe që nuk duhet harruar, u rijetëzua në një gravitet absurd artistik, me investime që do kishin mjaftuar për sistemin e ngrohjes në një qark të tërë.
Tirana është kthyer në një manual të arkitekturës së papërgjegjshme. Çdo hap është një kantier. Nuk ka hije, nuk ka kujtesë, nuk ka ndalesë. Askujt nuk i lejohet të pyesë: pse po shembet kjo ndërtesë? Pse po ngrihet ky kullim? Sepse, natyrisht, gjithçka vjen nga "vizioni". Dhe vizioni, siç dihet, nuk shpjegohet. Ai thjesht zbatohet, rrafshohet, tenderohet.
Nëse Parisi ka ‘Rue de Rivoli’ dhe Roma ka ‘Piazza Navona’, Tirana e re ka shiritat e plastikës që ndajnë kantieret nga kalimtarët. Ndërtesat publike 15-vjeçare quhen të vjetra dhe shkatërrohen. Qendra po mbulohet me beton estetik, pa ç’ka se populli ende jeton me orar ujin dhe nëpër shkolla ende mungojnë dritaret. Por estetika është gjithçka, edhe kur fryn erë nga puset.
Pse ndodh kjo? Sepse nuk ka njeri që pyet. 36 deputetë ka Tirana. E keni parë ndonjërin që të përpiqet të kuptojë se ku po shkon ky qytet? Jo. Se për ta, çdo ditë fillon me një tender dhe mbaron me një inaugurim. Qytetarët nuk ekzistojnë. Janë thjesht silueta në fotografitë elektorale.
Dhe, ah, kush flet për ligj? Kur ai vetë nuk respekton ligjin më bazik të shtetit: atë të garantimit të pronës publike e historike. Ligji është veshje që vishet vetëm kur del para Evropës, por në shtëpi veshet kërbaçi.
Shqiptarët nuk shohin më qytet, por hologramë. Dhe në vend të krenarisë arkitektonike, po trashëgojnë gropa, themele të pambaruara, dhe rrëfime nëpër rrjetet sociale se "po e bëmë qytetin si Parisi". Por në Paris, nuk lejohet të ndryshosh ngjyrën e fasadës pa leje.
Rijetëzimi i Tiranës është monumenti i nënshtrimit tonë kolektiv. Éshtë ai moment historik kur në vend të ruajmë çka është trashëguar, prishim çdo gjë për ta rindërtuar në imazhin e të gjatit. Nëse nesër zhduket edhe Teatri i Kukullave, mos u çudisni. Mund të jetë "vetëm një rijetëzim"./Pamfleti
Lini një Përgjigje