Politike22 Qershor 2024, 17:08

Siluri amerikan kundër Edi Ramës: Korrupsioni po bie erë dhe po qelb dynjanë!

Shkruar nga Pamfleti
Siluri amerikan kundër Edi Ramës: Korrupsioni po bie erë dhe po
Richard Nephew

Në Tiranë ishte për një vizitë këtë javë Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global në Departamentin Amerikan të Shtetit, Richard Nephew. Por ajo që ra në sy ishte fakti se nuk pati asnjë takim në Kryeministri...

Shtohen goditjet e amerikanëve kundër Edi Ramës. Që pas skandalit “McGonigal” qëndrimet e Uashingtonit nuk kanë qenë më të njëjta dhe kryeministri po merr mesazhe të qarta se nuk i ka aspak mirë punët me korrupsionin.

Përtej nismave që po merr duke tentuar të bëjë shou me këtë fenomen, amerikanët janë të qartë se korrupsioni është shtrirë kudo dhe qeveria jo vetëm që nuk po e lufton, por në disa raste dhe po e pengon luftën që ka ndërmarrë SPAK.

Në Tiranë ishte për një vizitë këtë javë Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global në Departamentin Amerikan të Shtetit, Richard Nephew. Ai zhvilloi takime me përfaqësues të shoqërisë civile, të medias, prokurorët e SPAK dhe përfaqësues të ILDKP dhe Agjencisë së Prokurimit Publik. Por ajo që ra në sy ishte fakti se nuk pati asnjë takim në Kryeministri, qoftë me Ramën apo përfaqësues të tij. Po ashtu dhe me ministra nuk pati asnjë bisedë. Të paktën vetë ambasada e SHBA nuk ka njoftuar asnjë takim të tillë. Pra injorim total.

Mirëpo goditja e fortë e tij erdhi dje mbrëma, Richard Nephew dha një intervistë te VOA, ku lëshoi mesazhe të forta kundër qeverisë. Së pari ai rrëzoi komisionin “Xhafaj” duke e bërë të qartë se SHBA nuk do të lejojë prekjen e reformës.

Pikëpamja jonë është se çfarëdo lloj mekanizmi reforme, çfarëdo lloj legjislacioni që paraqitet ka nevojë të jetë gjithëpërfshirës dhe ka nevojë të marrë parasysh aktorët e ndryshëm që ekzistojnë në vend, sidomos organizatat e shoqërisë civile dhe të tjerë. Mendoj edhe që duam të sigurojmë që çfarëdo reformash shtesë që bëhen, të vazhdojnë të ruajnë pavarësinë e gjyqësorit dhe të sigurojnë që prokurorët të vazhdojnë të çojnë çështjet përpara, që të mund ta kryejnë punën e tyre në mënyrë sa më të pavarur dhe të bazohen në fakte”, tha ai.

Goditja e dytë ishte për raportet ndërkombëtare. DASH dhe shumë organizata në çdo raport nxijnë qeverinë. Mirëpo kryeministri i injoron. Sipas, Richard Nephew këto raporte duhen marrë parasysh.

Raportet nga organizatat vrojtuese apo ndërkombëtare, ose organizatat e shoqërisë civile dhe të tjerë kanë për qëllim të ndihmojnë. Në fund të ditës, askush nga ne nuk mund të vlerësojë dhe analizojë në mënyrë të plotë, i vetëm, atë që ndodh në vendet tona, kur vjen fjala tek lufta kundër korrupsionit. Na duhet mbështetja e institucioneve ndërkombëtare që të jemi në gjendje ta bëjmë këtë dhe gjetjet kanë për qëllim të ofrojnë informacion të qartë se çfarë mund të bëhet më tej. Ndaj, edhe nëse po bëhet përparim, edhe nëse ka arritje, është absolutisht thelbësore që të gjenden mënyra të reja për të trajtuar problemet që po vihen në pah nga grupet e ndryshme, qofshin organizata ndërkombëtare, organizata të shoqërisë civile, apo të tjerë”, tha ai.

Siluri i radhës ishte për mbështetjen ndaj SPAK. Altin Dumani konstatoi se institucionet nuk denoncojnë korrupsionin dhe për zyrtarin e DASH kjo është e papranueshme. Po ashtu dha alarmin mbi abuzimet me tenderët. Fakti që ai takoi zyrtarët e APP, tregon qartë se ku fle lepuri.

Për të pasur sukses në luftën kundër korrupsionit, kërkohen përpjekjet e të gjithë shoqërisë dhe të gjithë qeverisjes. Prandaj mendoj se është me vend, që të gjenden mënyra të reja që të gjitha institucionet e ndryshme të qeverisë si dhe organizatat e shoqërisë civile të kontribuojnë për këto përpjekje për të ndarë ide dhe për të punuar bashkë teksa e bëjnë këtë... Mendoj se të gjitha institucionet që kanë lidhje me pjesët e shtetit që mund të merren me kontrata apo prokurime dhe të tjera, duhet të kenë mekanizma për të lejuar raportimin e ankesave, t’i identifikojnë ato ankesa dhe t’ua sjellin ato hetuesve”, tha ai.

Koordinatori për Anti-Korrupsionin u pyet dhe për deklaratat e kryeministrit për ata që i hanë kumbulla pas shpine. Rama nuk mban përgjegjësi për ministrat që ka në burg, por për amerikanët duket se sistemi nuk funksionin.

"Sigurisht është e vërtetë që korrupsioni ka të bëjë me individë, individë që kryejnë shkelje që nuk duhet t’i bëjnë. Por është po ashtu e vërtetë që ata individë funksionojnë brenda një sistemi. Ndaj kur ke shenja se ka një numër individësh që përfshihen në shkelje, duhet të shohësh jo vetëm se si t’i përgjigjesh atyre", tha ai.

Pra duket se kryeministri është vënë në “hellin” amerikan dhe nuk i ka fort mirë punët. /Pamfleti