Protestuesit u përplasën me Policinë para Kuvendit, marshuan drejt Komisariatit nr. 1 pas shoqërimeve dhe në mbrëmje u rikthyen para Kryeministrisë, duke përsëritur se nuk do të ndalen deri në largimin e Edi Ramës.
Protesta antiqeveritare ka hyrë në ditën e saj të 58-të, ndërsa qytetarët kanë qenë në rrugë nga mëngjesi deri në mbrëmje, duke zhvilluar disa tubime në pika të ndryshme të Tiranës.
Dita nisi para Kuvendit, ku që prej orës 08:30 qindra protestues u mblodhën për të kundërshtuar zhvillimin e seancës plenare. Zona ishte blinduar nga forca të shumta policie, të cilat kishin bllokuar të gjitha hyrjet në Parlament.
Gjatë përpjekjeve të protestuesve për t'iu afruar godinës pati tensione me efektivët e Policisë. Situata u përshkallëzua pasi disa persona u shoqëruan nga uniformat blu.
Pas incidenteve para Kuvendit, qindra qytetarë marshuan drejt Komisariatit nr. 1, ku kërkuan lirimin e personave të shoqëruar dhe kundërshtuan ndërhyrjen e Policisë gjatë protestës.
Në orët e pasdites, protestuesit u rikthyen sërish në shesh, këtë herë përpara godinës së Kryeministrisë, ku vijuan protestën me pankarta dhe flamuj kombëtarë.
Gjatë marshimit dëgjoheshin vazhdimisht thirrjet "Rama ik!", "Dorëheqje!" dhe "Shqipëria nuk dorëzohet!", ndërsa organizatorët përsëritën se protesta do të vijojë çdo ditë, pa ndërprerje.
Tubimi i radhës vjen edhe pas prezantimit të platformës "Besa" nga kryeministri Edi Rama, e cila sipas tij synon të krijojë një komunikim më të drejtpërdrejtë me qytetarët.
Protestuesit u shprehën se nuk i konsiderojnë të mjaftueshme deklaratat e kryeministrit dhe se nuk presin platforma apo iniciativa të reja nga qeveria.
Sipas tyre, protesta ka kaluar prej kohësh fazën e kërkesave sektoriale dhe tashmë ka vetëm një objektiv: largimin e Edi Ramës nga drejtimi i qeverisë.
Organizatorët theksuan se dalja e përditshme në rrugë mbetet mjeti i vetëm për të ushtruar presion ndaj qeverisë dhe se protestat do të vijojnë deri në realizimin e këtij qëllimi.
Lini një Përgjigje