
Ish kryeministri, Sali Berisha ka deklaruar ditën e sotme se baxhanaku dhe vajza e gruas së kryeministrit Edi Rama marrin pjesë në tendera, i kanë bërë presion drejtësisë për ta arrestuar.
“Vetëm tenderat e baxhanakut të Edi Ramës, një Fangu, janë me dhjetëra, në mos qindra deri më tani. Pas Fangut, Olsi Rama, i vëllai i kryeministrit, ortaku i Amant Josifit, qëndron mburoja e vjedhjes 2.2 miliard eurove të qytetarëve europianë.
Për dijeni, Amanti e ka mamanë drejtoreshë për shërbimin civil dhe nuk guxon ta prekë kush se ka mbështetjen e ortak-Olsit. Olsi është njeriu që mori përsipër të zhvillojë Spitallën me një kompani kineze, që doli të ishte kompani që merrej me menaxhimin e azileve.
Nuk mbetet mbrapa thjeshtra. Unë e di se zonja Rama tërbohet dhe humbet kontrollin dhe kap prokurorët si guvernatorja se pse nuk arrestojnë Sali Berishën. Problemi i thjeshtrës është se vrapon pas tenderave në mënyrë të paligjshme.
Nuk ka pse shtrin duart familja Rama. Asnjë pjesëtar i familjes nuk mund të marrë pjesë në prokurime, direkt apo indirekt. Asnjë prej tyre nuk mund të përfitojë nga koncesionet. Megjithatë, këta do përgjigjen para ligjit një ditë” tha ai.
Ish-kryeministri gjithashtu ka akuzuar sërish sot ambasadoren e SHBA në vendin tonë, Yuri Kim.
Sipas tij, kryediplomatja amerikane ka tejkaluar çdo lloj limiti “të mandatit të saj, të normave, të respektit, të sovranitetit të një vendi”.
Berisha u shpreh se i ka bërë thirrje inspektorit të përgjithshëm të DASH, Kongresit të SHBA, FBI, të hetojë aferat korruptive, përfshirë pronat që sipas tij Kim ka në Shqipëri.
“Unë kam zgjedhur të mbroj interesat e publikut shqiptar duke e denoncuar atë në çdo rast. I kam bërë thirrje inspektorit të përgjithshëm të DASH, Kongresit të SHBA, FBI, të hetojë aferat korruptive, përfshirë pronat e saj në Shqipëri. I garantoj se PD është e gatshme të ndihmojë në transparencën e këtij hetimi”, tha Berisha.