TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Prill 2025, 08:32

Zbulohen prapaskenat/ Ja pse Lulzim Basha refuzoi koalicionin me Shehin dhe Alibeajn

Shkruar nga Pamfleti

Zbulohen prapaskenat/ Ja pse Lulzim Basha refuzoi koalicionin me Shehin dhe

Lulzim Basha që udhëheq Koalicionin Euroatlantik në zgjedhjet e 11 majit refuzoi çdo propozim për të bashkëpunuar me Dashamir Shehin dhe Enkelejd Alibeajn. Këto të fundit arritën një marrëveshje mes tyre duke krijuar një koalicion “Djathtas për Zhvillim”, ndërsa në atë kohë u ftua edhe Lulzim Basha.

Prapaskenat sepse nuk u arrit një marrëveshje u zbuluan nga Enkelejd Alibeaj, kreu i partisë “Djathtas 1912”.

Në emisionin “Now”, Alibeaj theksoi se nuk ka qëllim të sulmojë apo të jetë agresiv me përfaqësuesit e partive të tjera, por se po shpreh thjesht të vërtetën e tij. Sipas tij, arsyet e moskonkludimit me zotin Basha ishin banale, dhe lidhen me mospajtimin për parimin e barazisë në koalicion.

“Nuk dua të bie në sulme apo agresivitet ndaj partive të reja, por po them të vërtetën time. Në dhjetor të vitit të kaluar dolëm me një platformë të paraqitur secilës prej partive për krijimin e një koalicioni sa më gjithëpërfshirës, ku çdo subjekt të ruante protagonizmin e vet. Askush nuk pranoi, ndoshta edhe për shkak të paaftësisë sonë për t’i bindur. Kontaktet më të shumta me zotin Basha i pati Dashamir Shehi, por arsyeja e mosbashkëpunimit ishte fare banale,” u shpreh Alibeaj.

Ai shpjegoi se ishin tre parti të përfshira në diskutime: LZHK, Partia e Bashës dhe Djathtas 1912, dhe qëllimi ishte të krijohej një koalicion me një figurë publike në krye – që nuk i përkiste asnjërës prej partive.

“Kishim disa emra në mendje, por zoti Basha refuzoi. Ai kishte një qasje që vinte nga pretendimi se kishte më shumë struktura dhe ishte parti më e madhe. Por në një bashkim, logjika duhet të jetë e bazuar mbi paritetin,” tha Alibeaj.

Ai shtoi gjithashtu se kishte dakordësi që koalicioni të përfaqësohej nga figura e Dashamir Shehit, por edhe kjo u refuzua nga zoti Basha.

“Së dyti, të paktën ramë dakord që një figurë e paqtë si Dashamir Shehi, i artikuluar dhe i mençur, do t’i bënte nder këtij koalicioni. Por edhe kjo nuk u pranua. Secili kishte pretendimet e veta. Mbase ka menduar se vetëm do të kishte më shumë sukses. Por unë mendoj dhe vazhdoj të mendoj se një bashkim pa humbur identitetin do ishte mënyra më e mirë për të tërhequr atë 1/3 e elektoratit, pjesa më e emancipuar që i ka vënë kryq Edi Ramës dhe Sali Berishës. Ky ishte synimi ynë, por nuk ia dolëm,” tha Alibeaj.

Lini një Përgjigje