Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka sekuestruar 45 kilogramë ar gjatë një operacioni të zhvilluar në Rajonin e Pejës.
Autoritetet bllokuan mbi 25 kilogramë punime ari dhe ndaluan më shumë se 20 kilogramë flori, pasi mallrat nuk posedonin dokumentacionin përkatës dhe nuk mbanin shenjëzimin e detyrueshëm nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës.
IQMT e realizoi aksionin në koordinim me Prokurorinë e Pejës, Policinë e Kosovës dhe Doganën e Kosovës. Ekipet inspektuese verifikuan përmbushjen e detyrimeve ligjore për tregtimin e metaleve të çmuara dhe kontrolluan origjinën dhe shenjëzimin e produkteve.
Inspektorati njoftoi se mungesa e dokumentacionit dhe e shenjëzimit përbën shkelje ligjore. Institucioni paralajmëroi se do të zbatojë masa ndaj operatorëve ekonomikë që nuk respektojnë kërkesat në fuqi.
Lini një Përgjigje