
Mospajtimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë të bëjnë vetëm me taktikat dhe operacionet porse jo edhe me vlerat apo qëllimet strategjike, ka deklaruar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në njërin prej diskutimeve të zhvilluara në Shtetet e Bashkuara.
Ai ka përsëritur se dallimet lidhen veçanërisht me Serbinë dhe me strukturat ilegale që ajo mban në Kosovë. Por ky pretendim është hedhur poshtë një ditë më parë nga Ambasada amerikane në Prishtinë, në të cilën kanë thënë se vendimi për pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik me Kosovën lidhet me veprimet e qeverisë në detyrë.
Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë një diskutimi të organizuar nga Hudson Institute ka thënë se bashkëpunimi i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) është në rritje.
Aty Kurti nuk ka folur për pezullimin që Washingtoni zyrtar ia ka bërë Dialogut të planifikuar strategjik me Kosovën, nën arsyetimin se qeveria në detyrë ka ndërmarrë veprime që rrisin tensionet dhe jo stabilitetin në rajon. Ai ka thënë se dallimet me SHBA-në lidhen vetëm me taktikat dhe me operacionet.
“Partneriteti ynë është i ndërtuar mbi tri shtylla: diplomaci, mbrojtje dhe zhvillim. Në diplomaci, herë pas here përballemi me dallime, veçanërisht në lidhje me Serbinë dhe strukturat ilegale që ajo mban në Kosovë. Por këto dallime kanë të bëjnë me taktikat dhe operacionet, jo me vlerat apo qëllimet strategjike. Në këto çështje jemi plotësisht në linjë të njëjtë. Në zhvillim, progresi është po aq i rëndësishëm”, ka thënë Kurti.
Ai e ka përmendur partneritetin me SHBA-në teksa ka folur për sanksionet që Kosova i ka vendosur ndaj Rusisë, për shkak të agresionit mbi Ukrainën.
“Ne vendosim sanksione kur është e nevojshme, mbështesim Ukrainën, forcojmë mbrojtjen tonë dhe ndërtojmë zhvillim të qëndrueshëm. Dallimet me Uashingtonin mund të lindin për çështje taktike, por për strategjinë dhe vlerat jemi në të njëjtën linjë. Drejtimi është i qartë: Kosova dhe Shtetet e Bashkuara janë të bashkuara në interesa dhe po përparojnë së bashku drejt qëllimeve të përbashkëta”, ka deklaruar Kurti.
Një ditë më parë, Shtetet e Bashkuara e kanë hedhur poshtë pretendimin e Kurtit se Kosovës po i kërkohen veprime për shkak të Serbisë. Një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë i ka thënë ‘KOHËS’ të martën se vendimi për ta pezulluar Dialogun strategjik bazohet tërësisht në veprimet e qeverisë në detyrë të Kosovës. Zëdhënësi ka thënë se çdo sugjerim se kjo lidhet me Serbinë apo me aktorë të tjerë të jashtëm është i pasaktë dhe përpjekje për ta shmangur vëmendjen nga çështjet thelbësore.
Në Ambasadën amerikane kanë përsëritur se nevojitet një partner që e kupton nevojën për të shmangur veprimet destabilizuese dhe që është i përkushtuar për ta avancuar stabilitetin rajonal dhe për t’i mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Lini një Përgjigje