TAGS-AT E JAVËS

Kosova 4 Qershor 2025, 13:18

Kosova 4 muaj pa parlament, Fatmir Limaj: Po afrohet koha, do të kemi marrëveshje!

Shkruar nga Pamfleti
Kosova 4 muaj pa parlament, Fatmir Limaj: Po afrohet koha, do të kemi
Kurti dhe Fatmir Limaj

Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës nuk është konstituuar as në tentimin e 26-të. Kryesuesi Avni Dehari ka njoftuar se seanca e ardhshme do të mbahet të enjten. Kjo zhvendosje nënkupton mundësinë e pushimit për festën e Bajramit, të premten e 6 qershorit.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, pas përfundimit të seancës konstituive, ritheksoi se po afrohet koha që Kosova të ketë institucionet e saja.

“Dalëngadalë po afrohet koha që Kosova të ketë institucionet e saja. Është e qartë se do të kemi një marrëveshje politike që do t’i japë Kosovës institucionet e saj.

Ne si subjekt kemi ofruar një mundësi mbi bazën e kapaciteteve tona, për të qenë të përgjegjshëm dhe për të dhënë kontributin tonë”, ka thënë ai.

Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, ka vazhduar të propozojë Albulena Haxhiun për postin e kryeparlamentares, por nuk ka siguruar mbështetjen e mjaftueshme nga partitë e tjera.

Kjo situatë e zvarritur ka shkaktuar shqetësim në opinionin publik dhe mes institucioneve, me thirrje të vazhdueshme për zhbllokim institucional dhe arritjen e një konsensusi politik për të vijuar me formimin e qeverisë dhe strukturave të tjera shtetërore.

Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani tha se për të tejkaluar këtë ngërç duhet të veprohet si në të kaluarën.

“Të kërkohet koalicion dhe kompromis në mes të partive politike”, theksoi ai, duke shtuar se partia fituese, pra Lëvizja Vetëvendosje, ka detyrën kryesore dhe fajin e vetëm për këtë ngërç.

Përveç pasojave të shumta që sjell në ligjet dhe politikat e vendit, moskonstituimi i Kuvendit për Enver Hasanin është sikur të mbetet “si njeriu pa gjymtyrë”. 

fatmir limaj

Lini një Përgjigje