TAGS-AT E JAVËS

Kosova11 Qershor 2025, 17:43

Kosova pranoi strehimin e emigrantëve, reagon DASH: I jemi mirënjohës Prishtinës

Shkruar nga Pamfleti

Kosova pranoi strehimin e emigrantëve, reagon DASH: I jemi

Departamenti i Shtetit të SHBA-së ka konfirmuar zyrtarisht marrëveshjen me Republikën e Kosovës për pranimin e përkohshëm të 50 emigrantëve nga vende të treta, të cilët janë në proces deportimi nga Shtetet e Bashkuara.

Në një deklaratë për CBS News, Departamenti i Shtetit vlerësoi bashkëpunimin me Kosovën, duke e cilësuar këtë marrëveshje si një hap konkret në realizimin e prioriteteve të administratës Trump në luftën kundër imigracionit të paligjshëm.

Ne mirëpresim bashkëpunimin në këtë prioritet kyç të Administratës Trump. Jemi mirënjohës partnerit tonë, Kosovës, për pranimin e shtetasve të vendeve të treta që janë larguar nga Shtetet e Bashkuara dhe për lehtësimin e kthimit të tyre të sigurt në vendet e origjinës”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Sipas marrëveshjes, migrantët do të vendosen përkohësisht në territorin e Kosovës, derisa të sigurohet riatdhesimi i tyre në vendet përkatëse. Autoritetet e Prishtinës do të kenë të drejtën të përzgjedhin individët nga lista e propozuar, në përputhje me kriteret për rendin dhe sigurinë publike.

Kosova, që e konsideron SHBA-në si aleatin më të ngushtë ndërkombëtar, ka pranuar më herët të strehojë refugjatë afganë në vitin 2021 dhe ka treguar gatishmëri të përsëritur për të kontribuar në zgjidhje globale për krizën e migracionit.

 

Lini një Përgjigje