Kosova 2 Mars 2024, 14:07

Rusia lëshon urdhër-arrest për tre zyrtarë të policisë së Kosovës

Shkruar nga Pamfleti

Rusia lëshon urdhër-arrest për tre zyrtarë të

Tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë shpallur në kërkim për arrest nga Rusia.

Të njëjtët janë futur edhe në sistemin e kërkimit nga INTERPOL. Bëhet fjalë për shefat e njësive elitare të Policisë së Kosovës.

Urdhërarresti ndaj tyre thuhet se vjen për shkak të arrestimit të një shtetasi rus në veri të Kosovës në maj të vitit 2019.

Një nga të shpallur në kërkim nga Rusia është kapiteni Besart Ahmeti, shef i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës.Po ashtu në listën e Interpolit janë futur shefi i njësitit elitar të Policisë së Kosovës, ‘FIT’, Alban Jetullahu, si dhe një zyrtar tjetër i Policisë së Kosovës.

Më 31 maj të vitit 2019, Policia e Kosovës gjatë një aksioni në veri të Mitrovicës ka arrestuar 19 pjesëtarë të policisë të cilët kanë qenë të dyshimtë, 10 qytetarë që kanë qenë të dyshuar, 9 qytetare të tjerë të cilët kanë penguar zyrtarët policorë në kryerje të detyrës si dhe 1 zyrtar të UNMIK-ut, me nënshtetësi ruse.

Sipas njoftimit të lëshuar nga policia atë kohë, thuhej se plani policor kishte filluar së zbatuari ashtu siç ishte planifikuar në të gjitha rajonet në të cilat kryesisht kanë kaluar pa incidente, përjashtuar rajonin e Zubin Potokut, ku tek vendi i quajtur “Klisurë”. Policia tha se persona të panjohur kanë vendosur pengesa në rrugë si drunj, ndezje të zjarrit dhe automjete të rënda, kamionë me pasha të rënda e të tjera.

Fletarresti ndaj tyre vjen pas ngjarjeve të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë dhe si kundërpërgjigje ndaj fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga INTERPOL-i për Milan Radojçiç dhe disa pjesëmarrës të tjerë në sulmin terrorist në Banjskë, por edhe pjesëmarrjen e tij në të gjitha aksionet e Policisë për vendosjen e rendit dhe ligji në veri të Kosovës.

Rusia njihet për urdhra arresti ndaj shumë personaliteteve të cilët e kundërshtojnë regjimin e Vladimir Putinit. Më shumë se 100 mijë persona janë në listën sekrete të të kërkuarve nga Rusia.

Deri më tani prokurorët rusë kanë lëshuar urdhra arresti për qindra të huaj, duke përfshirë kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas dhe senatorin amerikan Lindsey Graham, zyrtarë të lartë të të drejtave të njeriut dhe madje edhe zëdhënësin e kompanisë së mediave sociale Meta.

Këto urdhërarreste përfshijnë luftëtarë të huaj që mbështesin mbrojtjen e Ukrainës kundër pushtimit të Rusisë, zyrtarë të Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë, zyrtarë ukrainas dhe ligjvënës në shtetet baltike që votuan për heqjen e memorialeve sovjetike të Luftës së Dytë Botërore.