Kosova21 Shkurt 2023, 20:17

Serbët nisin të armatosin Veriun? Një 42-vjeçar kapet me 6.300 fishekë, Zveçla jep alarmin

Shkruar nga Pamfleti

Serbët nisin të armatosin Veriun? Një 42-vjeçar kapet me

Ndonëse retorika e dhunës u la pas dhe po flitet për paqe, Serbia duket se po tenton të rikthejë tensionet në veri të Kosovës. Në fillim të vitit u shkua deri aty sa Beogradi kërkoi të futej ushtria, por duket se grupet ekstremiste kanë nisur të armatosen për konflikte të tjera.

Sot, policia e Kosovës ka arrestuar një serb, pasi ka tentuar të fusë në fshatin Jashanicë të Leposaviçit 6.300 fishekë.

Mësohet se 42-vjeçar me inicialet J. Zh, është shoqëruar në polici dhe ku më pas është intervistuar lidhur me municionet që kishte në dispozicion dhe detajet se për çfarë do të përdoreshin. Ndaj tij është ngritur rasti penal dhe është dërguar në paraburgim për 48 orë.

Ndërkohë që Policia e Kosovës njoftoi se vazhdon me aktivitete të shtuara për të ofruar siguri dhe për të parandaluar aktivitetet kriminale, përfshirë parandalimin e kontrabandës në pjesën veriore të vendit.

Sot, më 21.02.2023, rreth orës 13:30, në fsh. Jashanicë të Leposaviqit, në një pikë kontrolli, Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare-Veriu, kanë ndaluar një automjet me targa të Serbisë të cilën e drejtonte një mashkull serb. Policia gjatë kontrollit të automjetit, ka gjetur rreth 6300 (gjashtë mijë e treqind) copë fishekë. I dyshuari (J.Zh, viti i lindjes 1981) është shoqëruar në polici. I njëjti është intervistuar, ndaj tij është iniciuar rasti penal dhe me aktvendim nga prokurori i njëjti është dërguar në mbajtje deri në 48 orë. Policia vazhdon me aktivitete të shtuara për të ofruar siguri dhe për të parandaluar aktivitetet kriminale përfshirë parandalimin e kontrabandës në pjesën veriore të vendit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Mbi këtë zhvillim reagoi ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla. Ai ka “shënjestruar” presidentin serb.

Përderisa Vuçiç flet për armatosje të Serbisë, në veri të Kosovës konfiskohen 6.300 copë municion të kontrabanduar nga Serbia. 6.300 sasi të municionit janë konfiskuar sot nga Njësiti i Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit në Joshanicë, në veri të Kosovës. Gjatë patrullimit është ndaluar vetura e dyshimtë me targa të Serbisë e një shtetasi serb dhe njësitet relevante tashmë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme”, ka shkruar Sveçla.

Sipas tij kjo rithekson sërish faktin se grupe të caktuara, të orkestruara dhe mbështetura nga Beogradi synojnë dhe angazhohen maksimalisht që të destabilizojnë vendin tonë.

Do të vazhdojmë pandalshëm angazhimin tonë në luftimin e çdo lloj kriminaliteti që synon të cenojë sigurinë e vendit tonë dhe të qytetarëve tanë”, ka shkruar Sveçla.

arrestohet serbi kosovë 6.300 fishekë