Një ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shtetas i Kosovës, është arrestuar paraditen e sotme nga autoritetet serbe, kanë konfirmuar Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK) dhe avokati Arianti Koci.
Sipas nënkryetarit të OVL UÇK-së, Gazmend Syla, arrestimi ka ndodhur në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë, ku gjatë kontrollit autoritetet serbe i kanë gjetur të ndaluarit në xhep kartelën e anëtarësisë si veteran i UÇK-së.
Gazmend Syla tha për Radion Evropa e Lirë se personi i arrestuar, me mbiemrin Lozhani, ka marrë pjesë në disa stërvitje në Shqipëri, por sipas informacioneve që disponon OVL UÇK, ai nuk ka qenë i angazhuar në vijat e frontit në Kosovë.
Avokati Arianti Koci bëri të ditur se arrestimi ka ndodhur rreth orës 11:00 të 5 shkurtit, duke theksuar se ky nuk është një rast i izoluar.
“Arrestimet e shtetasve të Kosovës që kalojnë tranzit nëpër Serbi po përsëriten,” deklaroi Koci.
Koci kërkoi reagim nga autoritetet e Kosovës, duke theksuar se mbrojtja e qytetarëve nuk mund të mbetet vetëm në nivel individual.
Ai nuk përjashtoi as masa politike, përfshirë mundësinë e mbylljes 24-orëshe të kufirit, nëse arrestimet vazhdojnë.
“Mbrojtja efektive e qytetarëve të Kosovës është përgjegjësi e shtetit, brenda dhe jashtë kufijve të tij,” shkroi Koci.
Deri më tani, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës nuk ka reaguar për këtë rast.
Ende nuk dihet se nën çfarë pretendimesh konkrete është arrestuar Lozhani. Megjithatë, Serbia ka arrestuar në mënyrë të përsëritur shtetas të Kosovës, kryesisht nën akuza për krime lufte gjatë viteve 1998–1999 në Kosovë. Vetëm gjatë vitit 2025 janë regjistruar disa raste të tilla.
Në vitet ’90, autoritetet serbe e cilësonin UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën, Ushtria Çlirimtare e Kosovës konsiderohet forca që mbrojti popullsinë shqiptare nga represioni i forcave të armatosura jugosllave.
Lini një Përgjigje