TAGS-AT E JAVËS

Kosova 5 Shkurt 2026, 19:58

Kushtetuesja cakton afat 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, Listës Serbe i njihet e drejta e pakufizuar e propozimit

Shkruar nga Pamfleti

Kushtetuesja cakton afat 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, Listës

Gjykata Kushtetuese u ka caktuar deputetëve afat prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, duke i njohur Listës Serbe, si shumicë e komunitetit serb, të drejtën e pakufizuar për të propozuar kandidatin për nënkryetar brenda këtij afati.

Sipas aktgjykimit të fundit, Lista Serbe mund të vazhdojë të propozojë kandidatin e saj për nënkryetar edhe pasi të jenë ezauruar të gjithë emrat e deputetëve të saj. Për sa kohë që kjo parti nuk refuzon të bëjë propozime, mekanizmi i shortit, i paraparë si mjet zhbllokues, nuk mund të aplikohet.

Vendimi nuk parasheh asnjë mekanizëm tjetër alternativ për zhbllokimin e situatës në rast se Lista Serbe, deri në skadimin e afatit 30-ditor, vazhdon të përsërisë propozimet e saj pa arritur zgjedhjen e nënkryetarit.

Ndryshe nga aktgjykimi i fundit, një vendim paraprak i Gjykatës Kushtetuese ofron një mundësi tjetër zhbllokimi. Në aktgjykimin KO265/25 thuhet se, në rrethana të jashtëzakonshme, Kuvendi mund të konsiderohet i konstituuar dhe të vazhdojë funksionimin edhe pa zgjedhjen e njërit prej anëtarëve të Kryesisë, me kusht që Kryesia të ketë kuorum.

Gjykata thekson se kjo vlen në rastet kur e drejta kushtetuese e propozimit nuk ushtrohet ose përdoret për të penguar procesin, apo kur, pavarësisht vullnetit të shumicës së deputetëve, zgjedhja e Kryesisë bëhet e pamundur.

Lëvizja Vetëvendosje nuk është deklaruar nëse do të vërë në funksion ndonjë nga këto opsione. Deputeti i zgjedhur i kësaj partie, Adnan Rrustemi, ka vlerësuar se Gjykata Kushtetuese ka shfaqur kontradikta në aktgjykimet e saj për të njëjtën çështje.

Ai ka përmendur rastin e LVV-së si shumicë parlamentare, për të cilën Gjykata kishte përcaktuar kufizim deri në tri nominime, ndërsa për Listën Serbe, sipas tij, është vendosur standard tjetër.

“Për më pak se katër muaj kemi disa vendime të Gjykatës Kushtetuese që ndryshojnë nga njëra-tjetra për të njëjtin objekt”, ka thënë Rrustemi, duke shtuar se aktgjykimi i fundit nuk i shërben konstituimit të Kuvendit.

Ndryshe vlerëson juristja Anita Shabani-Cacaj, e cila thotë se nuk bëhet fjalë për inkonsistencë të Gjykatës. Sipas saj, aktgjykimi paraprak ka trajtuar kufizime procedurale të Rregullores së Kuvendit, ndërsa vendimi i fundit ka adresuar shkelje të Kushtetutës.

Ajo vlerëson se aktgjykimi aktual mund ta ndihmojë konstituimin, nëse ka vullnet politik për marrëveshje.

“Gjykata as nuk e bllokon, as nuk e zhbllokon Kuvendin. Zgjidhja varet nga deputetët dhe shumica parlamentare, që në këtë rast është LVV-ja, e cila duhet të arrijë konsensus politik me Listën Serbe”, ka deklaruar Cacaj.

Në Lëvizjen Vetëvendosje, së cilës i përket kryetari i Kuvendit, nuk kanë bërë të ditur se cilin mekanizëm zhbllokues do ta përdorin në seancë, në rast se Lista Serbe vazhdon të shfrytëzojë pa kufizim të drejtën e saj të propozimit.

nënkryetari serb

Lini një Përgjigje