Madonna ka folur për herë të parë rreth anulimit të projektit të shumëpërfolur për filmin biografik kushtuar jetës dhe karrierës së saj, duke ia atribuar dështimin mosmarrëveshjeve me Universal Studios lidhur me buxhetin e prodhimit.
Në një intervistë për revistën Interview, artistja rrëfeu se kishte investuar katër vite punë në zhvillimin e projektit, përfshirë shkrimin e skenarit, përzgjedhjen e aktorëve dhe diskutimet financiare me studion.
“Isha duke bërë një film për jetën time. Punova dy vite mbi skenarin dhe kalova dy vite me Universal Studios duke punuar për buxhetin dhe përzgjedhjen e aktorëve”, deklaroi Madonna.
Sipas saj, historia e jetës së saj kërkonte një prodhim të kushtueshëm, çka u bë një nga pengesat kryesore për realizimin e filmit.
“Kam pasur një jetë të jashtëzakonshme. Kam jetuar shumë dhe kisha nevojë për një buxhet të madh”, tha këngëtarja.
Madonna shtoi se drejtuesit e studios nuk ndanin të njëjtin vizion me të për projektin dhe shprehën rezerva edhe ndaj idesë për t’i zhvilluar xhirimet në Serbi, një alternativë e menduar për të ulur kostot.
Pas ndërprerjes së filmit, artistja zbuloi se Netflix kishte shprehur interes për ta sjellë historinë e saj në format seriali. Megjithatë, edhe ky proces u përball me vështirësi, pasi ajo nuk mund të përdorte skenarin ekzistues pa paguar për të rikthyer të drejtat e tij, ndërsa gjetja e ekipit kreativ rezultoi më e ndërlikuar se sa ishte parashikuar.
Projekti filmik ishte në zhvillim prej vitesh dhe aktorja Julia Garner ishte përzgjedhur për të interpretuar Madonnën në ekran.
Megjithatë, raportimet e fundit sugjerojnë se artistja po punon për një serial të kufizuar mbi jetën e saj në bashkëpunim me regjisorin Shawn Levy.
Ndërkohë, Madonna pritet të rikthehet në skenën muzikore me albumin e ri “Confessions II”, i cili do të publikohet më 3 korrik.
Lini një Përgjigje