
Ish-ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe ish-avokati i saj, Taulant Hodaj ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit në Kongresin e UEFA-s ku simbolet e shtetit të Kosovës shihet se ishin larguar nga Kongresi, veprim ky i bërë nga Federata e Futbollit të Serbisë.
Në postimin e tij në rrjetin social Facebook, Hodaj ka shkruar se në këtë Kongres simbolet dhe respekti për Kosovën u shkelën në mënyrë flagrante, ndërsa mungoi një reagim proaktivë dhe protestë e dinjitetshme nga Federata e Futbollit e Kosovës.
“Duke reflektuar mbi kohën time në Federatën e Futbollit të Kosovës, e ndiej të nevojshme të ndaj disa shqetësime thelbësore rreth zhvillimeve të fundit në Kongresin e UEFA-së në Beograd. Ashtu siç u pa qartë në Beograd, simbolet dhe respekti për Kosovën u shkelën në mënyrë flagrante, ndërsa mungoi një reagim proaktivë dhe protestë e dinjitetshme nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Vërtetë i ligë veprimi i Serbisë, siç është e ligë dhe ekzistenca e një federate paralele për ‘Kosovën dhe Metohinë’ brenda statutit të Federatës së Futbollit të Serbisë, me figura si Radoiçiqi, që kanë drejtuar gara paralele në Kosovë. Kërkesa ime e mëhershme për t’iu ankuar UEFA-s ndaj Serbisë për këtë shkelje flagrante të parimeve të futbollit dhe rregullave të UEFA-së është injoruar nga FFK-ja pa asnjë arsye legjitime”, – ka shkruar Hodaj.
Më tutje Hodaj thekson se për të shmangur raste të tilla të ngjashme, nevojitet ndryshim thelbësor në mënyrën se si FFK-ja përfaqëson Kosovën në skenën ndërkombëtare.
“Për të shmangur përsëritjen e këtyre skenarëve të papranueshëm, është imperativë që FFK-ja vetë të kërkojë në mënyrë aktive nga UEFA dhe organizatorët respektimin e plotë të statutit dhe trajtim të barabartë. Në mungesë të një iniciative të tillë, ne si futboll kosovar dhe si shtet, diskreditohemi dhe gjendemi në pozita të pafavorshme.
Besoj fuqimisht se vetëm me një qasje proaktive, të guximshme dhe të bazuar në parimet e statutit të UEFA-s, mund të sigurojmë respektin e merituar për futbollin dhe shtetin tonë. Është koha për një ndryshim thelbësor në mënyrën se si FFK-ja përfaqëson Kosovën në skenën ndërkombëtare”, ka shkruar Hodaj.
Në Kosovë ka pasur dhe reagime të tjera si nga Ministria e Sportit dhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës që kanë kërkuar sqarime të detajuara nga UEFA për situatën e ndodhur te enjten në Beograd.
Ndërkohë në Shqipëri, FSHF dhe Armando Duka nuk kanë reaguar duke zgjedhur të heshtin.
Lini një Përgjigje