
Një futbollist i ri, ish-talenti i Premier Ligës, ka humbur jetën në një aksident të rëndë automobilistik, teksa po kthehej në shtëpi pas ndeshjes.
Etan MekLeod, 21-vjeç, i cili ishte formuar në akademinë e Ullverhemptonit dhe së fundmi aktivizohej me Maklesfilldin, ndërroi jetë pasi automjeti i tij, një Mercedes i bardhë, u përplas me barrierën anësore në autostradën M1, pranë Northemptonit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:40, në drejtimin veri të M1 pranë nyjës 15. Pavarësisht përpjekjeve të qytetarëve dhe shërbimeve të emergjencës, MekLeod u shpall i vdekur në vendngjarje.
Maklesfilldi konfirmoi vdekjen e tij në një njoftim prekës, duke bërë të ditur se Etan po kthehej nga fitorja 2-1 e skuadrës kundër Bredford Taun.
“Me zemër të rënduar dhe një ndjenjë të thellë tronditjeje, Maklesfilldi konfirmon ndarjen nga jeta të sulmuesit 21-vjeçar Etan MekLeod,” thuhej në deklaratën e klubit. “Etan ishte një futbollist jashtëzakonisht i talentuar dhe i respektuar, me gjithë jetën përpara. Por mbi të gjitha, personaliteti i tij pozitiv dhe buzëqeshja e tij e veçantë e bënin të dashur për këdo.”
Klubi shtoi se humbja e tij ka lënë “plagë të thella mendore” te të gjithë pjesëtarët e ekipit, duke theksuar se trashëgimia dhe kujtimi i tij do të jetojnë përgjithmonë.
MekLeod kaloi dhjetë vite në akademinë e Ullverhemptonit, ndërsa pati edhe huazime tek Alverçërç . Pas largimit nga “Molineux”, ai luajti për Rashall Olimpil dhe Stourbrixh, përpara se të firmoste me Maklesfilldin në National League North në korrik të këtij viti.
Pas aksidentit, korsia veriore e M1 u mbyll për më shumë se tetë orë.
Policia e Northemptonshajër bëri të ditur se aksidenti ishte një përplasje me një mjet të vetëm dhe u bëri thirrje dëshmitarëve ose personave me pamje nga kamera në makinë (dashcam) të kontaktojnë autoritetet për të ndihmuar hetimet.
Lini një Përgjigje