Luan Përzhita: Muzeu Arkeologjik pa ndërhyrje që nga viti 1985 dhe me probleme në infrastrukturë - Kulture
Kulture14 Maj 2022, 17:10

Luan Përzhita: Muzeu Arkeologjik pa ndërhyrje që nga viti 1985 dhe me probleme në infrastrukturë

Shkruar nga Pamfleti
Luan Përzhita: Muzeu Arkeologjik pa ndërhyrje që nga viti 1985

Muzeu Arkeologjik në Tiranë prezanton kërkimet e zbulimet arkeologjike në të gjithë territorin e vendit. Por në këtë muze, që nga vitit 1985 nuk ka pasur një ndërhyrje të plotë. Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike prof. dr. Luan Përzhita thotë se në vjeshtë do të jetë ndërhyja e parë e plotë, që bëhet pas 1985. “Muzeu Arkeologjik ka probleme. Pas sezonit turistik, në fund të shtatorit apo fillim tetori do të nisë rikonstruksioni i muzeut Arkeologjik në Tiranë.

Ky është rikonstruksioni i plotë, që bëhet për herë të parë që pas vitit 1985. Ka munguar kaq vite pa u bërë një ndërhyrje e tillë në muze për mungesë fondesh”, thotë rektori Përzhita. Muzeu Arkeologjik i Tiranës është i pari muze i krijuar pas Luftës së II Botërore, gjatë së cilës u shkatërruan edhe institucionet e fundit muzeore. U hap më 1 nëntor 1948 si muze Arkeologjik-Etnografik dhe vazhdoi i tillë deri në vitin 1976, kur u veçua pavijoni etnografik dhe ai u organizua si muze i profilizuar arkeologjik.

Rektori i ASA-s prof. dr. Luan Përzhita thotë se muzeu Arkeologjik nuk plotëson kushtet me kohën. Sipas tij janë kushte minimale, por me ndërhyrjen do të ketë punime në vetrata, punime që kanë të bëjnë me rrjetin elektrik, ndriçimin, etj. “Infrastruktura është problematike në muzeun Arkeologjik. Me kohën sot muzeu plotëson kushtet minimale dhe ndaj bëhet kjo lloj ndërhyrje. Probleme ka ndriçimi, sistemi i ajrimit, sistemet e digjitalizimit, etj”, shprehet rektori i ASA-s.

Puna në faza

Puna në muze pritet të nisë  këtë vit pas mbarimit të sezonit turistik, por rektori Luan Përzhita bën me dije se ndërhyrja që është planifikuar do të bëhet me fondet e shtetit shqiptar të gërshetuara me ato të Bashkimit Europian. “Me fondet që kemi ne dhe një grant nga BE”, thotë rektori Luan Përzhita, që shprehet se punimet në muze do të jenë në disa faza. Sipas tij, faza e parë e punimeve do të jetë 6 muaj. “Ne do të ecim hap pas hapi me punimet. Faza e parë 6- muaj. Muzeu gjatë punimeve do të jetë mbyllur.

Do të ketë riparime dhe investime në infrastrukturë, por nuk shkon më shumë se një vit. Besoj që kompania që do ta marrë përsipër do ta realizojë, sepse do të ketë afate dhe për punimet”, vijon rektori Luan Përzhita. Për punën që do të bëhet me objektet në muze rektori Përzhita thotë se është krijuar grupi i punës. Sipas tij, do të ketë dhe freskim të paraqitjes së ekspozitës në muze.

Muzeu vizitohet herë pas here dhe grupe të rinjsh, por rektori Luan Përzhita tregon se bëhen dhe orë mësimore. “Vijnë grupe me studentë dhe bëhen edhe orë mësimi të lëndëve të ndryshme të historisë ose arkeologjisë të shkollave 9- vjeçare ose dhe të mesme të Tiranës, po ashtu edhe studentë që kanë tema për trashëgiminë kulturore, që lidhen me lashtësinë e Shqipërisë”, thotë ai. Materiali i ekspozuar në muze përfshin një periudhë kohore nga epokat e gurit, tek ato të metaleve (bronzit e hekurit), kur lindi e u zhvillua etnosi ilir, periudhën e antikitetit ilir dhe periudhën e antikitetit të vonë e Mesjetën deri në pushtimin osman. /Sot/

Kulture #Luan Perzhita 3Muze