TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Shtator 2024, 15:14

Aksidenti i trafikantit Kristian Boçi, zbuloi se ai përdorte makinën e sekuestruar

Shkruar nga Pamfleti

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe Prokuroria e Tiranës, duhet të hetojnë se kush ia ka lejuar trafikantit Kristian Boçi, makinën e sekuestruar, përse nuk ia bllokuan pas aksidentit, por dhe nëse ja kanë lënë të shfrytëzojë apartamentet, HEC-in, bizneset, 2 vilat me sipërfaqe 482 m2 e 334 m2, garazhet, bar-kafet e dyqanet që i janë sekuestruar...

Aksidenti i trafikantit Kristian Boçi, zbuloi se ai përdorte

Rasti që po publikojmë, tregon se shefat e Agjencisë së Pasurive të sekuestruara në Ministrinë e Brendshme dhe Policia e Shtetit, nuk i zbatojnë urdhrat e Prokurorisë dhe vendimet e Gjykatës, duke lejuar trafikantët e sekuestruar, të përdorin pasuritë që kanë kaluar në administrim të shtetit.

Kështu është lejuar trafikanti Kristian Boçi, të mbajë në përdorim pasuritë e sekuestruara, mes tyre makinën luksoze, të sekuestruar më 28 qershor 2024, si pjesë pasurive të tij, më burim aktivitetin e drogës dhe pastrimin e parave.

Bëhet fjalë për makinën luksoze “Mercedez Benz GLE”, me targë “AA 334 RP”, zbuluar që përdorej nga trafikanti Kristian Boçi, pas aksidentit të ndodhur në datën 14 shtator 2024 në Lushnje, ku fatmirësisht nuk pati pasoja të rënda për të dhe dy fëmijët e tij.

Në listën e 19 pasurive të sekuestruara troje, toka, ullishte, dyqane restorante, lokale, vila, HEC, karburant, apartamente, njësi tregtare, hotel e të tjera me vlerë totale 50 milionë Euro, është dhe makina luksoze me vlerë 137 mijë Euro.

Por aksidenti rrugor, tregoi se kjo makinë, megjithëse prej 4 muajsh është sekuestruar nga Prokuroria e Tiranës me vendim gjykate dhe ka kaluar në administrim të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara në Ministrinë e Brendshme, ajo rezultoi se vazhdon të përdoret nga trafikanti i sekuestruar Kristian Boçi.

Logjikisht, ai nuk e ka mbajtur me forcë makinën, por e ka mbajtur në përdorim, në pazar me shefat e Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara të drejtuar nga xhambazi Idriz Haxhia; ndërsa policia që e ka targën e kësaj makine në listat e automjeteve të sekuestruara, ka lejuar Kristian Boçin ta përdorë lirisht.

Madje dhe pas aksidentit, policia nuk e bllokoi makinën, fakt që dëshmon, se urdhri për t’ia lënë të lirë makinën, është dhënë nga shefat në Ministrinë e Brendshme, me të cilët trafikanti Kristian Boçi ka lidhje të forta interesash.

E vetmja gjë që duhet të bëjë Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe Prokuroria e Tiranës, është kjo: të verifikojnë, se kush ia ka lejuar trafikantit Kristian Boçi, makinën e sekuestruar dhe përse nuk ia bllokuan pas aksidentit.

Po kështu, duhet të hetojnë nëse i janë lënë të vazhdojë shfrytëzimin e pasurive të tjera të sekuestruara, mes tyre apartamentet, HEC-in, bizneset, 2 vilat me sipërfaqe 482 m2 e 334 m2, garazhet, bar-kafet dhe dyqanet që i janë sekuestruar./Pamfleti

kristian boçi aksidenti

Lini një Përgjigje