TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet12 Korrik 2025, 15:31

Aksioni i IKMT-së në Theth, shqiptaro-britaniku: Erdhën duke bërtitur dilni jashtë, nuk arrita dot të marr as pasaportën

Shkruar nga Pamfleti

Aksioni i IKMT-së në Theth, shqiptaro-britaniku: Erdhën duke

Në ditën e 6 të aksionit për shembjen e ndërtimeve pa leje, deputetët e PD të qarkut Shkodër, Luçiano Boçi dhe Bardh Spahia, janë përplasur me efektivët e policisë në Theth. Ata kishin shkuar në mbështetje të banorëve që kundërshtojnë prishjen e ndërtimeve në fshat.

Krahas pronarëve të ndërtimeve pa leje në Theth, që po shemben nga IKMT, të revoltuar shprehen edhe pushuesit të cilët janë akomoduar në këto objekte në fshatin turistik, për të kaluar disa ditë.

Një shqiptaro-britanik ka rrëfyer për mediat momentet e boshatisjes së godinës nga policia, ku ai ishte akomoduar prej 3 javësh. Ai tregon se nuk arriti dot të marrë sendet personale, madje as pasaportën pasi ndërtesa u shemb dhe gjithçka ngeli nën rrënoja.

“Përshëndetje! Emri im është Kujtim. Jam këtu përreth 3 javë dhe kam rezervuar edhe për një muaj tjetër. Po flija atje, dhe ata erdhën papritur duke bërtitur: ‘Dilni jashtë, dilni jashtë’. U thashë: ‘Çfarë po ndodh?’ Më thanë: ‘Kjo do të shembet’. I thashë: ‘Pse? Keni ndonjë dokument apo diçka?’ ‘Jo’, më thanë, ‘thjesht do të shembet’. Askush nuk më dha ndonjë arsye, nuk më shpjeguan asgjë. U thashë: ‘Dakord, vetëm prisni sepse kam çdo gjë personale aty brenda’. Askush nuk më lejoi as të merrja gjërat e mia. Pasaporta ime ndodhet atje, gjithçka është atje, poshtë rrënojave. Nuk e di si do të vazhdojë.

Do të shkoj nga këtu drejt e te Ambasada Britanike, kam filmuar çdo gjë. Mendoj që do ta zgjidh vetë këtë problem, nëse më lejohet ta marr vetë pasaportën atje, nën rrënoja. Të gjithë duan të vijnë këtu, nuk është se bëhet fjalë vetëm për mua. Unë jetoj në Angli, udhëtoj kudo. Shkoj në Egjipt, kudo që shkoj, të gjithë flasin për Shqipërinë, për Thethin, që të vijnë ta vizitojnë, është një vend i bukur. E shikoni këtë njeri, të cilit policia i shembi ndërtesën? Janë njerëz shumë të mirë. Në vend që t’i sulmojë (policinë), ai u jep ujë atyre. Kjo do të thotë që ky vend po investohet shumë në çdo turist që vjen këtu”, tha ai.

 

Lini një Përgjigje