Kreu i SPAK ka pranuar sot në sallën e Parlamentit se bosët e krimit në Dubai nuk ekstradohen dot në Shqipëri...
Kreu i SPAK Altin Dumani, ka pranuar dështimin e autoriteteve sa i takon ekstradimit të bosëve të krimit. Ai ka raportuar sot në sallën e Parlamentit për punën e vitit që lamë pas dhe u shpreh se shumë të dënuar ndodhen në Dubai, por ekstradimi i tyre nga Arabia është mision thuajse i pamundur.
SPAK është vënë në ndjekje të krerëve më të lartë të bandave, por shumica janë strehuar në Dubai dhe prej andej porosisin vrasje dhe drejtojnë aktivitetet kriminale. Mirëpo shteti është i pafuqishëm përballë tyre.
“Mungesa e ekstradimit të eksponentëve të krimit nga Emiratet e Bashkuara Arabe ka vënë në vështirësi hetimet. Nuk kemi as edhe një të ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe”, tha ai.
Në fjalën e tij, Dumani tha se ka një rritje të regjistrimit të procedimeve penale kryesisht dhe më konkretisht janë regjistruar 28 procedime penale me 34 persona nën hetim, krahasuar kjo me vitin 2021 në të cilin janë regjistruar 18 procedime penale me 9 persona në hetim.
Sipas tij, ka një rritje gjithashtu nga viti 2021 të përdorimit të hetimeve proaktive në 122 procedime penale ku janë interceptuar 2177 pajisje fundore. Pjesën më të madhe të procedimeve penale ku është kërkuar përgjimi e kryesojnë çështjet e hetuara për veprën penale të korrupsionit me 69 procedime penale ku janë interceptuar 10,023 pajisje fundore. Ai foli më pas edhe për problematikat me të cilat përballet SPAK.
“Problematikat e SPAK – më e madhe është numri i madh i procedimeve të mbartura dhe ngelet që ky vit, që nga fillimi dhe në 6 muajt në vazhdim, prokurorët të merren me çështjet e mbartura, duhet patjetër që t’i japim zgjidhje kësaj problematike. Kemi vuajtur mungesën e infrastrukturës. 3, 4 ose më shumë hetues në një zyrë dhe në pamundësi për të ushtruar funksionet e institucioneve. Me vendim të Këshillit të Ministrave, SPAK ka marrë në pronësi një godinë që është pranë godinës dhe përmbush funksionet e SPAK. Kjo mund të quhet problematikë e zgjidhur”, tha ai.
Lini një Përgjigje