Rreth 18 muaj pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, me urdhër të SPAK, një grup avokatësh britanikë janë lejuar ta vizitojnë Veliajn në ambientet e paraburgimit.
Sipas mbrojtjes, Prokuroria e Posaçme u ka dhënë avokatëve të huaj leje për ta takuar Veliajn me statusin e vizitorit dhe jo në cilësinë e përfaqësuesve ligjorë apo të studios së tyre.
Pas takimit, një prej avokatëve britanikë bëri të ditur se, së bashku me Veliajn dhe ekipin shqiptar të mbrojtjes, kanë koordinuar strategjinë për ankimin që po përgatitet për t'u paraqitur në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Më tej, avokati Plarent Ndreca deklaroi se ankimi lidhur me masën e sigurisë pritet të jetë gati brenda muajit shtator. Ai shtoi se, ndonëse një pjesë e ekipit britanik është lejuar të zhvillojë takimin, avokatët e studios ligjore amerikane nuk kanë marrë ende autorizimin për të takuar Veliajn.
“Kolegët nga Anglia po lejohen për herë të parë pas muajsh kërkesa të vazhdueshme. Edhe pse nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë, është bërë e mundur që një pjesë e ekipit të huaj të vijë e të vizitojë Velijan. Ekipi amerikan nuk është lejuar ende. Takimi lidhet me aplikimin që ne do bëjmë në Strasburg lidhur me masën e sigurimit. Korrëm një fitore në Kushtetuese që e ktheu masën e sigurimit në gjykatë të lartë. Nuk janë pranuar të gjitha pikat, dhe për këto pika ne do të shkojmë në Strasburg. Gjendja e Veliajt është shumë e mirë, është i qartë për çështjen dhe për betejën që ka bërë dhe e pret. Çështja në Strasburg duhet të depozitimet brenda 4 muajve, besoj se do e bëjmë shumë shpejt, në shtator”, u shpreh Ndreca.
Lini një Përgjigje