TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Qershor 2026, 21:55

"BE të shohë me kujdes", eurodeputetja: Protestat në Shqipëri, një betejë për sovranitetin popullor

Shkruar nga Pamfleti
"BE të shohë me kujdes", eurodeputetja: Protestat në
Ilaria Salis

Protesta qytetare që prej 17 ditësh po mbahet para Kryeministrisë ka marrë mbështetje edhe nga eurodeputetja italiane Ilaria Salis, e cila i ka bërë thirrje Bashkimit Europian të ndjekë me më shumë kujdes zhvillimet në Shqipëri.

Në një mesazh të publikuar për protestuesit, Salis tha se lëvizja e njohur si “Revolucioni i Flamingove” po jep një shembull që sipas saj meriton vëmendjen e gjithë Europës.

Falë lëvizjes së flamingove këtë javë, Shqipëria po tregon anën e saj më të mirë. Po i tregon gjithë Evropës një rrugë model për të ndjekur”, deklaroi eurodeputetja italiane.

Salis u shpreh se protesta ka dalë tashmë përtej një kauze të vetme dhe po shpreh pakënaqësinë e qytetarëve ndaj gjithë klasës politike.

Qindra mijëra persona janë në shesh prej javësh kundër qeverisë dhe opozitës, të dyja të paafta për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesin e popullit”, tha ajo.

Sipas eurodeputetes, mesazhi kryesor i protestuesve është kundërshtimi i idesë se Shqipëria dhe pasuritë e saj mund të trajtohen si mall për t’u shitur.

Mesazhi i tyre është i thjeshtë dhe i fuqishëm: ‘Shqipëria nuk është në shitje’. Nuk është në shitje për oligarkët, spekulatorët. Nuk është në shitje për Ivanka Trump e Jared Kushner. Nuk është në shitje për të gjithë ata që mendojnë se paraja mund të blejë gjithçka, tokën, natyrën, madje edhe demokracinë”, deklaroi Salis.

Eurodeputetja theksoi se ajo që po ndodh në Shqipëri nuk duhet parë vetëm si një protestë mjedisore.

Kjo lëvizje nuk është thjesht ambientaliste. Është një betejë për sovranitetin popullor dhe për të drejtën e një populli për të vendosur për të ardhmen e tij, pa qenë interesat ekonomike të klasave mbizotëruese që drejtojnë axhendën”, u shpreh ajo.

Në fund të mesazhit të saj, Salis i kërkoi institucioneve europiane të tregojnë më shumë vëmendje ndaj zhvillimeve në Shqipëri.

Për këtë arsye, Evropa duhet të ndjekë me më shumë kujdes atë që po ndodh në Shqipëri, sepse është diçka e rëndësishme për Bashkimin Europian. Ky është një popull i gjallë, i vetëdijshëm dhe i aftë të mobilizohet kundër kapitalizmit grabitqar, kundër padrejtësive, për të mirat e përbashkëta dhe për liri”, deklaroi eurodeputetja italiane.

Mesazhi i Salis vjen në një kohë kur protesta e nisur për mbrojtjen e Zvërnecit po zgjerohet dita-ditës, duke artikuluar kundërshtime jo vetëm ndaj projekteve të kontestuara, por edhe ndaj qeverisë dhe klasës politike në tërësi.

ilaria salis protesta

Lini një Përgjigje