Protesta qytetare para Kryeministrisë ka vijuar edhe në ditën e 17-të, me qytetarë që kanë artikuluar jo vetëm kundërshtimin ndaj qeverisë, por edhe refuzimin e të gjithë klasës politike që ka qeverisur vendin gjatë tre dekadave të fundit.
Një nga fjalimet që tërhoqi vëmendje gjatë tubimit ishte ai i një protestuesi, i cili iu drejtua publikisht Komisioneres së Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, me një mesazh të drejtpërdrejtë për situatën politike në Shqipëri.
“I them zonjës Kos: ti mund të marrësh garanci nga kjo qeveri, por ka diçka që e ke harruar. Ne shqiptarët e Shqipërisë kemi vendosur ta grisim kontratën 36-vjeçare me këtë klasë politike”, deklaroi ai nga podiumi i protestës.
Qytetari tha se protestat e ditëve të fundit po tregojnë se një pjesë e shoqërisë shqiptare nuk pranon më të identifikohet me klasën politike që ka dominuar tranzicionin.
Sipas tij, pavarësisht përpjekjeve për ta etiketuar apo për ta përvetësuar lëvizjen, protesta po mbetet një reagim autentik qytetar.
“Pavarësisht përpjekjeve për ta kapur këtë protestë, inteligjenca e kësaj rinie është më e madhe nga sa mendoni”, u shpreh protestuesi.
Në vijim të fjalës së tij, ai sulmoi atë që e cilësoi si kulturë të imponuar të bashkëpërgjegjësisë kolektive për gjendjen e vendit.
“Teorisë se të gjithë jemi bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës i ka ardhur fundi”, deklaroi ai, duke marrë duartrokitjet e pjesëmarrësve në tubim.
Protesta, e cila nisi si kundërshtim ndaj projektit në Zvërnec, është shndërruar gjatë javëve të fundit në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë dhe elitës politike. Në podium po ngjiten çdo ditë qytetarë, studentë, pedagogë dhe profesionistë që artikulojnë shqetësime që lidhen me emigracionin, korrupsionin, mungesën e meritokracisë dhe përfaqësimin politik.
Ndërsa protesta hyn në javën e tretë, mesazhet që vijnë nga sheshi po shkojnë përtej kërkesave konkrete dhe po shndërrohen në një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj modelit politik që ka dominuar Shqipërinë në 36 vitet e fundit.
Ok.kthim ne 97 ! Bandat jane gati per pune mbrojtje !!!!!