
Protestuesit marshuan sërish drejt Kryeministrisë me pankarta ironizuese dhe thirrje kundër Edi Ramës, Sali Berishës dhe gjithë klasës politike.
Ashtu si në protestat e mëparshme, qytetarët mbajtën në duar pankarta me mesazhe të forta dhe ironizuese, të cilat u kthyen në një nga elementët më të spikatur të tubimit.
Një prej pankartave më të komentuara paraqiste fotot e kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së Sali Berisha me mesazhin: "Rama n'burg, Berisha n'burg, Nesër edhe më shumë".
Një tjetër pankartë mbante sloganin: "46 ditë. Nuk është më një protestë. Është qëndresë", ndërsa në një tjetër lexohej: "46 ditë. Populli nuk dorëzohet. Nesër edhe më shumë!".
Mesazhe të tjera të shfaqura nga protestuesit ishin edhe: "Kur padrejtësia bëhet ligj, qëndresa bëhet detyrë", si dhe një pankartë me mbishkrimin "NO – Populli nuk dorëzohet!", ku renditeshin një sërë kundërshtimesh ndaj korrupsionit, arrogancës, papërgjegjshmërisë, propagandës, varfërisë, drejtësisë selektive e "shtetit parti" dhe "shtetit të kapur".
Nuk munguan as pankartat satirike. Njëra prej tyre ironizonte kryeministrin Edi Rama duke e paraqitur si një gjel, me mbishkrimin në anglisht: "New Rooster Species Found in Albania...", ndërsa në tabelën anësore shkruhej: "Bukë nuk ka, spektakël ka plot".
Gjatë marshimit në rrugët e Tiranës, protestuesit përsëritën edhe thirrjet që kanë shoqëruar lëvizjen qytetare që prej fillimit të saj, si "Rama ik!", "Berisha ik!", "Ikni të gjithë!", "Poshtë kasta politike!", "Duam Shqipërinë si gjithë Europa!" dhe "Qeveria dhe politika janë kthyer në harem!".
Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se do të vazhdojnë mobilizimin deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.







Lini një Përgjigje