Deklarata horror e Snezhana Paunoviç nuk ishte rastësi...
Ministrja serbe nuk foli vetëm në emrin e saj. Mesazhi i saj duket si pjesë e një strategjie më të gjerë politike për ta rikthyer Kosovën në qendër të betejës së ardhshme diplomatike, ndaj shqiptarët duhet të jenë të përgatitur për një fazë të re negociatash…
Snezhana Paunoviç, e cila trazoi opinionin shqiptar me deklaratën e saj tronditëse në median proqeveritare serbe Kurir, nuk është aspak viktimë e qeverisjes së shqiptarëve në Republikën e Kosovës.
Përkundrazi.
Ajo është një nga përfitueset më të mëdha të realitetit të krijuar pas çlirimit të Kosovës dhe largimit të regjimit të idhullit të saj politik, Sllobodan Millosheviç, në partinë e të cilit vazhdon të militojë edhe sot.
Paunoviç ka drejtuar një kompani të madhe farmaceutike, e cila pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës u shndërrua në një nga operatorët më të rëndësishëm në tregun e rajonit të Pejës.
Shoqëria që ajo drejtoi, pas së cilës qëndrojnë emra të njohur të oligarkisë financiare serbe, mbetet edhe sot një nga aktorët më të fuqishëm ekonomikë në Kosovë.
Ajo nuk u vendos rastësisht në atë pozicion.
Ka qenë pjesë e rrjetit politik dhe ekonomik të Ivica Daçiçit, kreut të Partisë Socialiste të Serbisë dhe një prej aleatëve më të rëndësishëm të Aleksandar Vuçiçit.
Ishte pikërisht Daçiçi ai që e promovoi Snezhana Paunoviçin, një ekonomiste e re në atë kohë, në drejtimin e bordit të një prej ndërmarrjeve publike më fitimprurëse të Serbisë.
Një emërim që erdhi si rezultat i besnikërisë politike.
Më pas, Snezhana Paunoviç u emërua supervizore e Bordit të Aeroportit "Nikola Tesla" të Beogradit, institucioni që deri para pak vitesh konsiderohej aeroporti më i rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor.
Sot ai është tejkaluar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.
Snezhana Paunoviç, që vjen nga komuniteti serb i Kosovës, nuk është gjë tjetër veçse një prej figurave më të afërta të Ivica Daçiçit.
Edhe vetë Daçiçi vjen nga familjet serbe të Kosovës që mbështetën ngritjen politike të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1989, duke ndihmuar eliminimin politik të rivalëve të tij brenda Lidhjes Komuniste Serbe.
Partia Socialiste e Serbisë mbart edhe sot një nga trashëgimitë më të errëta politike të vendit.
Ajo nuk arrin të fitojë mbështetje domethënëse as në zonat tradicionalisht më nacionaliste të Serbisë, madje as në Pozharevc, vendlindjen e Sllobodan Millosheviçit.
Për këtë arsye, fokusi i saj politik dhe ekonomik është zhvendosur prej kohësh drejt Kosovës.
Dhe drejt rrjeteve që e mbajnë gjallë interesin strategjik të Serbisë për atë territor.
Mes tyre janë Rusia, satelitët e saj politikë, Kisha Ortodokse Serbe dhe strukturat e thella të shtetit serb.
Deklarata e Snezhana Paunoviçit nuk është thjesht një opinion personal.
Ajo pasqyron një mënyrë të menduari që vazhdon të ekzistojë në një pjesë të elitës politike serbe.
Në thelb, mesazhi i saj ishte se Serbia synonte spastrimin etnik të Kosovës, por u pengua ta realizonte.
Një deklaratë me përmbajtje të rëndë, që do të pritej të shkaktonte reagime të menjëhershme në Beograd.
Por kjo nuk ndodhi.
Paunoviç mund të jetë një figurë ekstremiste.
Megjithatë, deklarata e saj nuk duket se është produkt vetëm i bindjeve personale apo i ndikimit të Ivica Daçiçit.
Ajo ngjan më shumë si një mesazh i testuar për opinionin publik serb.
Një përpjekje për ta rikthyer çështjen e Kosovës në qendër të debatit politik përpara proceseve të ardhshme zgjedhore.
Snezhana Paunoviç, Ivica Daçiçi, Aleksandar Vuçiçi dhe një pjesë e madhe e klasës politike serbe vazhdojnë ta trajtojnë Kosovën përmes mitit të humbjes së vitit 1389.
Ndërkohë, për shumë serbë të Kosovës, Beogradi është shndërruar në një bankomat politik dhe financiar, ndërsa vetë Kosova përdoret si instrument presioni në negociatat ndërkombëtare.
Përtej retorikës, Serbia mbetet një shtet me aspirata ekspansioniste.
Dhe, sipas këtij interpretimi, nuk do ta njohë Kosovën në kufijtë dhe realitetin e saj aktual.
Nëse një njohje do të ndodhte ndonjëherë, ajo do të lidhej vetëm me një marrëveshje të re politike që do të ndryshonte statusin ekzistues, përtej Rambujesë, shpalljes së pavarësisë së vitit 2008 apo Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.
Pikërisht këtu qëndron pesha reale e deklaratës së ministres serbe.
Ajo duket se është hedhur në qarkullim si pjesë e një përgatitjeje politike për zhvillimet që mund të vijnë.
Prandaj pyetja më e rëndësishme nuk është se çfarë mendon Snezhana Paunoviç.
Por sa të përgatitur janë shqiptarët, dhe veçanërisht institucionet e Kosovës, për një fazë të re negociatash ndërkombëtare.
Një plan kombëtar për vijat e kuqe, interesat strategjike dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës bëhet gjithnjë e më i domosdoshëm.
Historia e vitit 1913 tregon se ndarjet e mëdha nuk ndodhin gjithmonë me dëshirën e kombeve të vogla.
Por me vendimet e fuqive të mëdha.
Dhe pikërisht për këtë arsye, shqiptarët duhet të jenë të përgatitur.
Sepse, siç tregoi historia, Serbia nuk arriti ta realizojë me forcë atë që synonte.
Dhe kjo mbetet fakt, pavarësisht retorikës së sotme./Pamfleti
Lini një Përgjigje