Aktualitet16 Maj 2023, 21:24

DASH publikon raportin për lirinë fetare, problemet që hasen në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut

Shkruar nga Pamfleti

DASH publikon raportin për lirinë fetare, problemet që hasen

Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar ditën e sotme raportin vjetor për gjendjen e lirisë fetare në botë gjatë vitit 2022. Në parathënien e raportit, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vë në dukje se ndërsa vazhdojnë kufizime domethënëse nga qeveritë në mbarë botën ndaj praktikave fetare, njerëzit vazhdojnë të emigrojnë drejt Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera demokratike në kërkim të lirisë së besimit.

Në raport kishte edhe kapituj të veçantë për gjendjen e lirisë së besimit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Sa i takon Shqipërisë, raporti vë në dukje se qeveria shqiptare ka në fuqi marrëveshje me pesë komunitete fetare, nëpërmjet të cilave i njeh këto grupe si komunitetet kryesore të besimit në vend dhe trajton brenda këtij kuadri çështjet e rikthimit të pronave dhe çështje të tjera. Qeveria shqiptare megjithatë ndihmon financiarisht vetëm katër prej tyre. Raporti përmend se në gusht Dëshmitarët e Jehovait ngritën një padi gjyqësore për shkak se qeveria shqiptare nuk i ishte përgjigjur kërkesës për arritjen e një marrëveshjeje të ngjashme si me pesë komunitetet e tjera të besimit.

Të pesë komunitetet fetare që kanë marrëveshje me qeverinë shqiptare raportuan probleme me procesin e rikthimit të pronave, ndërsa agjencia përkatëse shtetërore përmend kufizimet për shkak të zënies së territorit nga ndërtime të ligjshme dhe të paligjshme, si dhe hapësirat e pakta të disponueshme.

Në tërësi, komunitetet fetare në Shqipëri i përshkruajnë si pozitive marrëdhëniet mes besimeve, megjithëse Dëshmitarët e Jehovait thonë se vazhdon raportimi nën një dritë negative nga disa media në vend, dhe se katër padi të ngritura ndaj këtyre mediave për shpifje që në vitin pararendës vazhdonin të ishin në proces gjyqësor.

Megjithëse kushtetuta e vendit ndalon diskriminimin fetar dhe garanton lirinë e besimit, legjislacioni i vendit nuk ofron mundësinë për grupet fetare që të fitojnë status ligjor.

Policia i ndaloi Kishës Ortodokse Serbe mbajtjen e liturgjisë në një kishë të kontestuar dhe në disa shkolla të vendit vazhdoi zbatimi i një udhëzimi të qeverisë për ndalimin e veshjeve fetare, duke ua ndaluar kështu qasjen në mësimdhënie nxënëseve që mbajnë hixhab. Pati raportime për diskriminim edhe në vende publike apo në mjediset e punës ndaj grave myslimane që mbajnë veshje fetare.

Qeveria e Kosovës vazhdon të mos zbatojë një vendim të gjykatës të vitit 2016 për njohjen e pronësisë së Kishës Ortodokse Serbe të zonës përreth Manastirit të Deçanit, ndërsa Kisha Protestante Evangjeliste e Kosovës, Dëshmitarët e Jehovait dhe grupe të tjera thanë se mungesa e mbështetjes institucionale për varreza të dedikuara ua mohoi të drejtën e varrimit sipas besimit të tyre.

Megjithëse kuadri kushtetues dhe ligjor i vendit garanton barazi përpara ligjit për të gjithë individët pavarësisht besimeve të tyre fetare, pesë grupe fetare të krishtera, myslimane dhe hebraike përcaktohen si përfitues automatikisht nga përjashtimi për taksat dhe detyrime të tjera.

Një grup pune i krijuar nga qeveria maqedonase në vitin 2021 vazhdoi të shqyrtojë amendamente ligjore për t’u mundësuar kishave dhe xhamive individuale marrjen e statusit si entitete ligjore. Qeveria maqedonase dhe Komuniteti i Bektashinjve të Tetovës vazhduan të kenë dallime për sa i përket regjistrimit të këtij grupi fetar. Ky komunitet nuk e ri paraqiti kërkesën e tij për regjistrim të vitit 2000, për shkak të shqetësimeve se mund të shtrëngohej ta ndryshonte emrin e tij, duke rrezikuar kështu për rrjedhojë edhe vazhdimësinë e këtij komuniteti, që ka vazhduar të raportojë përndjekje nga qeveria, nga vetë anëtarët e Komunitetit Fetar të Bektashinjve të regjistruar me qeverinë maqedonase, dhe të tjerë.

Grupet e krishtera dhe myslimane thonë se procesi i rikthimit të pronave vazhdon të jetë i ngadaltë dhe jo i plotë. Megjithëse u punua nga qeveria për të zgjidhur disa nga problematikat e akreditimit të shkollave të mesme fetare të drejtuara nga Komuniteti Fetar Mysliman i Maqedonisë së Veriut, çështja nuk u zgjidh, duke ua ndaluar kështu nxënësve regjistrimin në universitetet laike të vendit.

Njohja nëpërmjet kanonizimit nga Partiarku Ekumenik i Kishës Ortodokse të Lindjes, i dha fund një periudhe të gjatë mosnjohjeje të Kishës Ortodokse të vendit, duke i çelur kështu edhe rrugën drejt arritjes së autoqefalisë.

dash raporti fetar