Pamjet që shihni tregojnë vendin ku mbrëmjen e së premtes u plagos rëndë Thimjo Rubati, i njohur edhe si Sander Rubati, pas një atentati me armë zjarri në lagjen nr. 4 të Sarandës. Ngjarja ndodhi në një prej zonave më të frekuentuara të qytetit, ku në këtë periudhë ka prani të lartë turistësh.
Sipas të dhënave paraprake, rreth orës 21:15, dy persona me skafandra, që lëviznin me një motomjet, kanë hapur zjarr ndaj 50-vjeçarit para biznesit të tij. Burime bëjnë me dije se Rubati është goditur me tre plumba, ndërsa autorët janë larguar menjëherë nga vendngjarja.

I plagosuri u transportua fillimisht në Spitalin e Sarandës, ku mori ndihmën e parë mjekësore, dhe më pas u nis me urgjencë drejt Tiranës për trajtim të specializuar, pasi ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.

Thimjo Rubati është një person me precedentë penalë. Ai rezulton i njohur për autoritetet për vepra që lidhen me trafikimin e emigrantëve të paligjshëm, kontrabandën, armëmbajtjen pa leje dhe trafikimin e mjeteve motorike. Burime bëjnë me dije se ai kishte vetëm pak vite që kishte dalë nga burgu në Greqi, ku kishte vuajtur dënim për një ngjarje të rëndë.

Atentati ndodhi vetëm pak metra larg vendit ku një natë më parë u dhunua oficeri i Policisë së Sarandës, Mihal Velço. Për atë ngjarje, Policia ka shpallur në kërkim Andrea Rubatin, 27 vjeç, djalin e të plagosurit, si dhe Antonio Lefterin, 30 vjeç, dhe Engjëll Dalanajn, 30 vjeç. Ata dyshohen se goditën dhe kanosën me thikë efektivin pasi ky i kishte kërkuar të ndalonin manovrat e rrezikshme me motomjete në qytet.
Policia ka rrethuar zonën e ngjarjes dhe ka ngritur pika kontrolli në hyrje dhe daljet e Sarandës, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave. Hetuesit po verifikojnë të gjitha pistat, përfshirë edhe nëse atentati ka lidhje me ngjarjen e ndodhur një natë më parë.
Lini një Përgjigje