TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Nëntor 2025, 13:58

Debati te Siguria/ Balliu-Prodës: Të kontrollojnë bandat, mafia ka gjithçka në dorë

Shkruar nga Pamfleti

Debati te Siguria/ Balliu-Prodës: Të kontrollojnë bandat, mafia

Një përplasje e ashpër ndodhi në Komisionin e Sigurisë, ku deputeti Klevis Balliu akuzoi drejtpërdrejt Drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda, se ka kthyer policinë në “vegël të krimit dhe mburojë të bandave”.

Balliu i tregoi Prodës dosjen “Metamorfiza”, duke e quajtur provën më të qartë të kapjes së strukturave të policisë nga krimi i organizuar.

“Kjo dosje fakton përfundimisht kapjen e policisë nga krimi. Operacionet dekonspirohen nga brenda. Ju keni hallin e bandave, jo të shtetit”, i tha deputeti demokrat, kreut të Policisë së Shtetit.

Në vijim, Balliu e akuzoi Prodën se mbron interesat e grupeve kriminale.

“Ju keni frikë mos preken bandat, jo mos preken qytetarët. Për monopatinat dilni me 4 furgona. Në aeroport nuk gjendej polici as me satelit”, vijoi deputeti demokrat.

Ai theksoi se mënyra si autorët vranë, u larguan, dogjën makinën dhe zhdukën gjurmët brenda 90 minutash tregon degradim të plotë të rendit publik.

“Nën drejtimin tuaj, Durrësi nuk kap asnjë gram kokainë, ndërkohë që Europa flet për rolin e Shqipërisë në trafikun ndërkombëtar. Tani ka ardhur edhe Sinaloa”, vijoi deputeti demokrat.

Balliu i cilësoi aksionet e policisë “folklorike dhe qesharake”, ndërsa krimi i organizuar vepron i paprekur:

“Mafia ka gjithçka në dorë. Ju merreni me lokalet a kanë zënë rrugën, por bandat po i marrin frymën shtetit”, shtoi Balliu.

Seanca u shoqërua me tone të ngritura dhe replika të ashpra. Proda shmangu përgjigjet për shumë prej akuzave, ndërsa tensioni u bë i ndjeshëm në sallën e Komisionit.

Lini një Përgjigje