TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Nëntor 2025, 12:01

"Dosja Buka" në GJKKO; SPAK njofton në seancë hetimin e ri; reagon avokati: S'mund të ketë proces me akte surprizë

Shkruar nga Pamfleti

"Dosja Buka" në GJKKO; SPAK njofton në seancë hetimin e

Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën për ekstradimin e ish-zv.Kryeministrit Arben Ahmetaj. Ky i fundit prej korrikut 2023 ndodhet jashtë vendit, ndërsa sipas asaj që raportohet kërkesa për ekstradim është dërguar në Zvicër.

Kjo u bë e ditur nga gjyqtarja e posaçme, Irena Gjoka, gjatë seancës për atë që njihet si dosja ‘Buka’, për të cilën ish-zv.Kryeministri akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre me dëm ekonomik 7 miliardë lekë.

Gjatë seancës, u vendos që ky proces të vijojë në mungesë të subjektit, ndërsa avokati mbrojtës i ish-zv.Kryeministrit tha se për Ahmetajn nuk ka një masë sigurie lidhur me çështjen në fjalë.

“Kërkesa për ekstradim nuk ka të bëjë me këtë rast, pasi ndaj Ahmetajt për procesin në fjalë, nuk ka asnjë masë sigurie”, tha avokati Henrik Ligori.

Në anën tjetër prokurori i SPAK, Elvin Gokaj, ka paraqitur kërkesën për gjykim, ndërsa ka kërkuar që të pyeten 14 persona.

Prokurori i SPAK theksoi se është rënë në kontakt se një shumë e madhe parash, konkretisht 3 milionë euro, që është transferuar nga Shqipëria në një vend të BE-së, drejt Austrisë.

“Kemi rënë në kontakt me një shumë të madhe parash që janë transferuar nga Shqipëria në një vend të BE që po verifikohet”, tha prokurori, sipas gazetares Klodiana Lala.

Ndërkohë, avokati i Ahmetajt, tha “Prokurori po thotë qe po na doli gjë nga kjo do ngrijmë akuze, nese ka hetime te tjera për këtë çështje prokurori nuk kishte ngutje te mbyllte hetimet, nuk mund te jete proces i rregullt me akte surprize, nëse ka prova te tjera prokurori ti paraqesë”.

Në reagimet publike, ish-zv.Kryeministri ka hedhur poshtë pretendimet e SPAK që çuan në ngritjen e një akuze ndaj tij.

Ahmetaj ka deklaruar se “rasti i “Buka” sh.a, është ndër të paktat herë në një procedurë privatizimi ku aksionet e shtetit jo vetëm ruhen, por rriten me disa herë në vlerë, ose thënë ndryshe, shteti përfiton më shumë të ardhura”.

Duke renditur etapat e procedurës së privatizimit, Ahmetaj nënvizon se i vetmi akt që është rrëzuar nga Gjykata Administrative në këtë procedurë, është vlerësimi i ekspertit të pavarur për përqindjen e aksioneve.

“Pyetja është, a përgjigjet Ministri për vlerësimin e ekspertit kontabël të autorizuar dhe ekspertit të vlerësimit? Jo. Ligji për privatizimin e shoqërive në sektorët jo-strategjikë, e ka të qartë procedurën dhe vlerësimin.  Në 2018, e zbardhjen e vendimit të Gjykatës, si ministër, urdhërova shfuqizimin e procedurës së ankandit të datës 18.06.2015. Këtu përfundon edhe dijenia ime mbi këtë procedurë, pasi nga janari 2019, jam larguar nga pozicioni i Ministrit të Financave”, ka sqaruar Ahmetaj në reagimet e tij lidhur me këtë çështje.

 

Lini një Përgjigje