Makina e pedagogut dhe pronarit të medias, Gasper Kokaj është shkrumbuar nga flakët gjatë orëve të natës në qytetin e Shkodrës.
Kokaj është pronari i medias 'Tv Rozafa' ndërsa mjeti i shkrumbuar ishte tip 'Land Rover' i parkuar në zonën e Dollarit të Shkodër. Kokaj ka qenë në vitin 2013 kandidat për deputet në partinë Republikane.
Djegia ka qenë e qëllimshme, teksa në pamjet e kamerave të sigurisë dallohet një person i cili afrohet pranë mjetit fouristradë dhe i vë flakën në pjesën e përparme.
"Gjatë natës është djegur pjesërisht automjeti tip “Land Rover”, i cili ka qenë i parkuar në rrugën “Vaso Kadia”. Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se automjeti është në pronësi të TV Rozafa. Vijojnë hetimet, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.", njofton Policia.
Pronari Kokaj u ka thënë hetuesve se nuk ka konflikte dhe se nuk ka dyshime për asnjë person.
Lini një Përgjigje