TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Korrik 2026, 15:10

Pse po vonon Edi Rama të ‘reflektojë’ ndaj protestës: me kë po negocion Kryeministri?

Shkruar nga Pamfleti

Kryeministri premtoi një ‘reflektim’ ndaj protestës, por prej tri javësh nuk ka paraqitur asnjë platformë. Pas heshtjes qëndron dilema e tij më e madhe politike: të ruajë aleancën e vjetër me rrjetin Soros apo të përballet me kushtet e administratës Trump...

Pse po vonon Edi Rama të ‘reflektojë’ ndaj protestës:
Kryeministri Edi Rama /

Edi Rama njoftoi ngritjen e një ekipi që do të analizonte pakënaqësinë publike dhe do të përgatiste reagimin e qeverisë. Platforma ende nuk është bërë publike. Burime dhe sinjale politike flasin për negociata që shkojnë përtej protestës, nga investimet në Zvërnec e Sazan, deri te raportet e kryeministrit me Sorosin dhe administratën Trump. Në qendër të përplasjes qëndron kërkesa që Rama të mos vazhdojë të qëndrojë në dy karrige...

Prej tri javësh, Edi Rama premton një platformë reagimi dhe reflektimi të qeverisë ndaj protestës që nisi më shumë se një muaj e gjysmë më parë. Kryeministri deklaroi se kishte ngritur një ekip të posaçëm për të analizuar pakënaqësinë publike, kërkesat e protestuesve dhe ndjeshmërinë e qytetarëve ndaj qeverisë.

Megjithatë, reflektimi nuk ka ardhur. Qeveria nuk ka bërë publike asnjë përgjigje konkrete, ndërsa askush nuk di se çfarë përmban platforma e paralajmëruar nga Rama.

Kjo heshtje ka prodhuar versione të ndryshme. Disa flasin për ndryshime të thella në kabinetin qeveritar. Të tjerë paralajmërojnë ndërhyrje të mëdha ligjore, që mund të prekin procedurat për lejet në bregdet, kontratat publike dhe lejet e ndërtimit. Një version tjetër flet për rishikimin ose anulimin e një pjese të lejeve që qeveria ka dhënë përgjatë bregdetit, përfshirë projektet e debatueshme në Zvërnec dhe Sazan.

Por këto versione nuk qarkullojnë rastësisht. Skuadra që administron komunikimin dhe imazhin e qeverisë i hedh ato në publik me kujdes, për të matur reagimin, për të orientuar debatin dhe për të fituar kohë. Rama nuk po reflekton. Rama po negocion.

Kryeministri i nisi negociatat që në momentin kur protesta mori përmasa që mund të rrezikonin kontrollin e tij politik. Ai po negocion me disa palë njëkohësisht: me ata që dyshohet se kanë financuar ose mbështetur protestën, me strukturat që kanë ndërtuar strategjinë e saj të komunikimit, por edhe me një palë tjetër, më të brishtë dhe potencialisht më të rrezikshme për të ardhmen e tij sesa vetë protesta.

Të gjithë politikanët që kanë drejtuar qeverinë, Presidencën ose partitë kryesore në Shqipëri kanë negociuar në momente krizash. Shumë prej tyre kanë marrë pjesë edhe në negociatat për fatin politik të kundërshtarëve të tyre. Por Edi Rama e ka kthyer negociatën në mekanizmin kryesor të funksionimit të pushtetit të tij.

Karriera e tij politike lidhet që në fillim me një prej rrjeteve më me ndikim në politikën dhe financën ndërkombëtare, atë të George Sorosit. Rama hyri në politikën e nivelit të lartë me mbështetjen e këtij rrjeti dhe ndërtoi gradualisht marrëdhëniet që i garantuan akses në qarqe të rëndësishme jashtë Shqipërisë.

Kontaktet me familjen Rothschild gjatë periudhës kur Rama drejtonte Ministrinë e Kulturës, angazhimi i tyre në çështje që lidheshin me Butrintin dhe lobimi i vazhdueshëm pranë demokratëve amerikanë përbëjnë pjesë të këtij itinerari. Megjithatë, Rama nuk u kufizua vetëm te krahu demokrat. Ai ndërtoi ura edhe me lobistë të lidhur me republikanët në Shtetet e Bashkuara.

Një nga emrat kryesorë në këtë histori ishte Arthur J. Finkelstein, strateg politik amerikan i njohur për fushatat konservatore. Finkelstein dhe rrjeti i tij i konsulencës kanë punuar me politikanë të ndryshëm jashtë Shteteve të Bashkuara, përfshirë Viktor Orbánin. Sipas informacioneve që kanë qarkulluar prej vitesh në Tiranë, struktura të lidhura me të kanë këshilluar edhe Edi Ramën që në fazat e para të karrierës së tij politike.

Kjo marrëdhënie e vendosi Ramën në një pozitë të ndërlikuar kur Hillary Clinton mori postin e Sekretares amerikane të Shtetit. Finkelstein kishte ndërtuar një pjesë të veprimtarisë së tij politike mbi fushatat kundër familjes Clinton. Për pasojë, Rama kishte nevojë për një ndërmjetës që t’i hapte rrugën drejt administratës demokrate.

George Soros e luajti këtë rol. Kabllogramet diplomatike që publikoi WikiLeaks pas ngjarjeve të 21 janarit 2011 hodhën dritë mbi kontaktet, ndërmjetësimet dhe kanalet që vepronin në prapaskenën e krizës shqiptare.

Edhe në krizën aktuale, Rama po kërkon mbështetjen e Sorosit. Synimi i tij lidhet me ndalimin e protestave ose, të paktën, me zbutjen e fazës së dytë të tyre, e cila mund të marrë përmasa më të mëdha në fund të gushtit dhe gjatë periudhës që përkon me fushatën amerikane për zgjedhjet e mesmandatit.

Pikërisht në atë periudhë mund të rikthehet në vëmendjen politike amerikane projekti i lidhur me familjen Trump në Shqipëri. Investimet e paralajmëruara në Sazan dhe Zvërnec mund të kthehen nga projekte turistike në çështje politike dhe elektorale në Shtetet e Bashkuara.

Rama i konsideron negociatat e tanishme si mundësinë e fundit për të shmangur një përplasje të drejtpërdrejtë. Sipas burimeve, njerëzit e administratës Trump kanë refuzuar deri tani kontaktet që ai ka kërkuar. Ata dyshojnë se qeveria shqiptare e përdori ekspozimin publik të Ivanka Trumpit dhe Jared Kushnerit në çështjen e Zvërnecit për të ushqyer narrativën e demokratëve amerikanë dhe të qarqeve që mbështet George Soros.

Sipas të njëjtave burime, administrata Trump i ka dërguar Ramës mesazhe të ashpra. Ajo e akuzon se ka keqpërdorur emrin dhe imazhin e vajzës dhe dhëndrit të presidentit amerikan. Rama ka marrë gjithashtu kërkesën që qeveria dhe propaganda e saj të mos e përdorin më emrin e Ivanka Trumpit për të mbrojtur apo promovuar vendimet që lidhen me Zvërnecin.

Këto mesazhe e kanë frenuar kryeministrin nga shpallja e paketës së tij të “reflektimit”. Ai nuk mund të tërhiqet lehtësisht nga projektet e debatueshme në bregdet, sepse çdo tërheqje mund të hapë kërkesa të tjera. Në të njëjtën kohë, ai nuk mund të vazhdojë sikur protesta dhe presioni amerikan të mos ekzistonin.

Për këtë arsye, Rama po përpiqet ta zhvendosë krizën nga vendimmarrja politike te ndryshimet në kabinet. Sipas informacioneve që qarkullojnë në mazhorancë, kryeministri ka përgatitur një lëvizje për riformatimin e qeverisë, të cilën mund ta shpallë në fund të javës.

Negociatat përfshijnë edhe vendosjen në qeveri të një emri të ri, të propozuar ose mbështetur nga qarqe pranë Sorosit. Këto qarqe, sipas burimeve, nuk kanë mbetur të kënaqura me përfaqësimin aktual në Ministrinë e Shëndetësisë. Ato kërkojnë një pozicion më të rëndësishëm, ose funksionin e numrit dy të qeverisë, ose drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Këto nuk përfaqësojnë thjesht kërkesa për një emër ministri. Ato lidhen me kontrollin mbi vendimmarrjen, fondet publike, lejet, koncesionet dhe projektet infrastrukturore. Pikërisht për këtë arsye negociatat po zhvillohen me intensitet dhe Rama nuk ka arritur ende të mbyllë marrëveshjen.

Ndërkohë, ambasadori shqiptar në Uashington, Ferit Hoxha, i ka përcjellë kryeministrit një mesazh që lidhet drejtpërdrejt me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio. Mesazhi ka ardhur në kontekstin e qëndrimit të administratës amerikane ndaj rrjeteve dhe organizimeve që ajo i lidh me të majtën ekstreme. Qeveria po e mban përmbajtjen e tij sekret, por burimet e përshkruajnë tonin si shumë të fortë.

Të dyja palët i kanë përcjellë Ramës të njëjtën kërkesë, edhe pse për arsye të kundërta. Ai nuk mund të vazhdojë të qëndrojë në dy karrige. Nuk mund ta përdorë Sorosin për të siguruar mbështetjen e demokratëve dhe, në të njëjtën kohë, emrin e familjes Trump për të marrë mbrojtje nga republikanët. Nuk mund ta paraqesë projektin e Sazanit si investim amerikan, ndërsa projektin e Zvërnecit ta administrojë si instrument të luftës politike kundër administratës amerikane.

Kjo dilemë shpjegon vonesën e “reflektimit”. Rama nuk po kërkon një përgjigje për qytetarët. Ai po kërkon një marrëveshje që t’i garantojë mbijetesën politike.

Protesta i hapi krizën, por negociatat po përcaktojnë fundin e saj. Ndryshimet në qeveri, rishikimi i lejeve ose largimi i disa ministrave mund të shërbejnë vetëm si pagesa politike për marrëveshjen që Rama po përpiqet të mbyllë.

Çështja nuk lidhet më vetëm me përmbajtjen e platformës që kryeministri premtoi. Çështja lidhet me palën së cilës ai do t’i japë garanci, me interesat që do të mbrojë dhe me faturën që do t’u kalojë shqiptarëve.

Edi Rama ka përdorur negociatën për të hyrë në pushtet, për ta zgjeruar atë dhe për të kaluar krizat. Tani negociata e ka vendosur përballë një zgjedhjeje që nuk mund ta shtyjë pafund. Sorosi dhe administrata Trump po i kërkojnë të njëjtën gjë: të zgjedhë karrigen ku do të ulet./Pamfleti

reflektimi i edi ramës ndaj protestës me kë po negocion kryeministri

1 Komente

  1. s
    studio

    MJAFT I FUTE VETES NJE BOJE NGA JASHTE ....BRENDA mbetesh I NJEJTI.....kur lyen nga jashte nje golf 2 te mare fund nuk e ben me te ri....sbehesh gangster Se ke golf 2 o JARI....te lyer nga jashte

    Lini një Përgjigje