Protesta kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama ka hyrë në ditën e saj të 40-të, ndërsa qytetarët e mbledhur para Kryeministrisë kanë rikonfirmuar kërkesat që, sipas organizatorëve, mbeten të panegociueshme.
Gjatë tubimit, përfaqësuesit e protestës lexuan sërish platformën e revoltës, e cila, sipas tyre, është hartuar mbi bazën e propozimeve të ardhura nga qytetarët gjatë javëve të fundit.
Në krye të listës së kërkesave qëndron dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit Edi Rama dhe e të gjithë kabinetit qeveritar.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor, e cila sipas tyre do të krijojë kushtet për reforma dhe zhvillimin e zgjedhjeve.
Kërkesat e protestuesve:
-Dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit Edi Rama dhe e të gjithë kabinetit qeveritar.
-Krijimi i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me një mandat të qartë 12-mujor.
-Hartimi i një Kushtetute të re, që garanton barazinë e plotë të shtetasve para ligjit dhe miratimin e saj me referendum popullor, duke përfshirë:Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;
Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave;
-Kufizimin e mandatit të Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate (të plota ose të pjesshme) gjatë gjithë jetës politike.
-Ruajtja e kërkesave fillestare ekonomike dhe mjedisore, konkretisht:Anulimin e ndryshimeve në ligjin për "Zonat e Mbrojtura";
Anulimin e ndryshimeve në ligjin për "Trashëgiminë Kulturore";
-Shfuqizimin e "Paketës së Maleve";
-Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për "Investimet Strategjike".
Hartimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, përmes konsultimeve me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga vetë protesta.
Lini një Përgjigje