TAGS-AT E JAVËS

Kronike 9 Korrik 2026, 21:24

Vrasja e Egli Progës, Prokuroria mbyll hetimet pas dy vitesh dhe dërgon për gjykim 5 persona

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja e Egli Progës, Prokuroria mbyll hetimet pas dy vitesh dhe
Egli Proga

Sipas dosjes hetimore, ekspertiza mjekoligjore konfirmoi se 42-vjeçari Egli Proga humbi jetën si pasojë e një hemorragjie cerebrale në cipën e trurit, e shkaktuar nga një goditje me grusht...

Dy vjet pas vrasjes së Egli Progës, prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon çështjen për gjykim ndaj 5 personave. Me mbylljen e hetimeve, organi i akuzës u ka komunikuar akuzën e vrasjes me dashje, kryer në bashkëpunim, Denis Meçes dhe Leonidha Guçes. Ndërkohë, Arjan Manellari, Voltan Shkulaku dhe Andi Shkulaku akuzohen për moskallëzim të krimit, kryer në bashkëpunim, si edhe për kryerjen e veprimeve që pengojnë zbardhjen e së vërtetës.

Për Denis Meçen dhe Leonidha Guçen, Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë "arrest në shtëpi", ndërsa tre të pandehurit e tjerë po hetohen nën masën e sigurisë "detyrim paraqitjeje".

Sipas dosjes hetimore, ekspertiza mjekoligjore konfirmoi se 42-vjeçari Egli Proga humbi jetën si pasojë e një hemorragjie cerebrale në cipën e trurit, e shkaktuar nga një goditje me grusht. Përveç aktit të ekspertimit mjekoligjor, prokuroria e ka mbështetur akuzën edhe mbi dëshmitë e personave të pyetur gjatë hetimit, si dhe mbi ekspertimin e pamjeve të kamerave të sigurisë të bizneseve që ndodheshin pranë vendit ku ndodhi ngjarja.

I riu u dhunua për vdekje më 10 Gusht 2024 në lagjen nr.1 të qytetit të Pogradecit. Sipas organit hetues, Egli Proga është goditur dhunshëm nga Denis Meçe dhe shtetasi Leonidha Guçe, i cili ka qenë i pranishëm në të njëjtin lokal në momentin kur ka ndodhur krimi.

Mësohet se fillimisht viktima është dhunuar brenda lokalit nga shtetasi Leonidha Guçe e më pas ai është goditur kur ka dalë nga objekti edhe nga shtetasi Denis Meçe. Edhe pse u transportua në spital, Proga nuk ka mundur t’iu mbijetojë plagëve dhe humbi jetën mbrëmjen e 10 gushtit.

Fillimisht ai u raportua se humbi jetën pasi ishte rrëzuar në rrugë në gjendje të dehur në Pogradec. Por rezultoi se kjo pistë ishte një mashtrim për të fshehur ngjarjen e rëndë pasi 42-vjeçari u dhunua për për vdekje dhe ndërroi jetë më pas në spitalin e Pogradecit.

Vrasja e Egli Progës shkaktoi reagime të forta publike, si edhe përplasje mes Policisë dhe Gjykatës lidhur me trajtimin e çështjes. Familjarët e viktimës kërkuan që hetimet të mos kufizoheshin vetëm te personat e akuzuar për ngjarjen, por të përfshinin edhe strukturat e Policisë lokale për mënyrën e menaxhimit të rastit./Pamfleti

prokuroria egli proga

Lini një Përgjigje