Ish-kryeministri Sali Berisha ka marrë në dorë fletëthirrjen e tretë nga SPAK për 21 Janarin. Tre ditë pasi refuzoi të paraqitej në Prokurorinë e Posaçme me pretendimet se nuk kishte asnjë dijeni për fletëthirrjen, tashmë SPAK ia ka dorëzuar Berishës njoftimin në dorë, kur ai u paraqit në zbatim të masës detyrim paraqitjeje për aferën Partizani.
Ditën e premte Berisha refuzoi të paraqitej në SPAK duke pretenduar se nuk kishte marrë asnjë fletë-thirrje për këtë çështje nga Prokuroria e Posaçme.
Ai kundërshtoi deklaratën zyrtare të SPAK i cili po atë ditë doli me një deklaratë zyrtare sipas të cilës kreut të PD dhe ish-kryeministrit Berisha i ishin dërguar 2 fletëthirrje për 21 janarin, duke i cilësuar të gjitha pretendimet si gënjeshtra.
Berisha tha se fletëthirrja ishte një sajesë e Altin Dumanit që të mbulonte vjedhjet te Tuneli i Llogarasë.
I pyetur nga gazetarët nëse i është dorëzuar sot fletëthirrja, Berisha tha se deri më sot nuk e ka marrë atë.
"Mbetet në historinë e turpit të Altin Troplinit, i cili për të zhurmuar aferë e tmerrshme të Edi Ramës dhe lubi ballukut, sajoi turpet, skenarin e turpshëm të ftesës sime në SKAP për tu pyetur si njeri që ka dijeni për 21 janarin. Ftesa e parë e Altin Troplinit, sipas tij mban datën 3 nëntor, pikërisht datën që isha në zyrat e SKAP-t, donte jo njoftimin tim, por donte që mercenarë, lakej të qeverisë në media të hapnin studiot televizive jo me lubinë dhe Ramën dhe vjedhjet e tyre në Tunelin e Llogarasë, por se e ftuam, se ftuam, nuk erdhi.", tha Berisha.
Hetimi për 21 Janarin është rihapur me urdhër të Gjykatës së Lartë më 12 mars 2024, pas vendimit të Strasburgut që konstatoi shkelje të rëndësishme të procedurave dhe mungesë hetimi efektiv nga autoritetet shqiptare. Tashmë SPAK po e trajton çështjen si krim shtetëror, duke verifikuar përgjegjësinë e eprorëve politikë dhe të zinxhirit komandues.
Fillimisht, drejtësia shqiptare dënoi vetëm ish-komandantin e Gardës Ndrea Prendin dhe ish-efektivin Agim Llupo, të cilët morën dënime simbolike. Por në korrik 2024, SPAK regjistroi dosjen me akuza të rënda ndaj një sërë zyrtarësh të lartë: “vrasje në rrethana cilësuese” në bashkëpunim, “shpërdorim detyre” dhe “pengim të zbulimit të së vërtetës”.
Në fokus të hetimit mbetet vrasja e Hekuran Dedës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Aleks Nikës, ky i fundit ende pa autor të identifikuar, si dhe dyshimet për urdhra politikë dhe tentativa për të manipuluar provat menjëherë pas ngjarjes.
Lini një Përgjigje