
Një lajm i dhimbshëm ka goditur këtë të enjte komunitetin mjekësor dhe familjet e shumta që kanë kaluar pragun e Pediatrisë në QSUT. Mjeku pediatër Bashkim Nezaj ka ndërruar jetë papritur, teksa ndodhej në krye të detyrës. Shkaku i vdekjes ka qenë një atak kardiak që nuk i ka lënë kohë për ndërhyrje.
Në një njoftim zyrtar, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka shprehur dhimbjen për ndarjen e parakohshme nga jeta të mjekut, i cili ka shërbyer për më shumë se 20 vite me përkushtim dhe humanizëm të rrallë.
“Një profesionist i përkushtuar, një njeri i qetë dhe i dashur, një mjek që ia kushtoi jetën dhe zemrën shërbimit ndaj fëmijëve... Kontributi yt nuk do të harrohet kurrë”, shkruan QSUT në mesazhin e saj.
Vdekja e Dr. Bashkim Nezajt ka lënë një boshllëk të thellë jo vetëm te kolegët, por edhe te prindërit dhe pacientët që e njohën si simbol të kujdesit dhe përkushtimit. Një tjetër humbje e rëndë për shëndetësinë shqiptare, që sot nderon figurën e një mjeku që shërbeu me dinjitet deri në momentin e fundit.
Lini një Përgjigje