TAGS-AT E JAVËS

Sport27 Korrik 2026, 20:04

Pirlo shkakton 'tërmet' te Italia, dorëhiqen Leonardo dhe Maldini

Shkruar nga Pamfleti
Pirlo shkakton 'tërmet' te Italia, dorëhiqen Leonardo dhe
Maldini-Leonardo

Paolo Maldini dhe Leonardo kanë vendosur të japin dorëheqjen nga drejtimi teknik i kombëtares italiane, vetëm 17 ditë pas emërimit të tyre. Sipas mediave italiane, të dy ia kanë komunikuar vendimin presidentit të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Giovanni Malagò, duke i dhënë fund projektit që synonte rindërtimin e "Axurrëve".

Largimi i tyre vjen pas dështimit të kandidaturës së Andrea Pirlos për postin e trajnerit të Italisë. Ish-mesfushori doli nga gara pas polemikave të forta të shkaktuara nga marrëveshja e sponsorizimit me kompaninë ruse të basteve Fonbet, çështje që shkaktoi reagime të forta politike dhe institucionale në Itali.

Sipas raportimeve, Maldini dhe Leonardo kishin mbështetur emërimin e Pirlos si pasues i Gennaro Gattusos dhe, pas tërheqjes së kandidaturës së tij, kishin propozuar edhe emrin e Thiago Mottës. Megjithatë, trajneri italo-brazilian nuk është kontaktuar kurrë zyrtarisht nga federata.

Vendimi përfundimtar për trajnerin e ri do t'i takojë presidentit të FIGC-së, Giovanni Malagò. Gjatë takimeve me drejtuesit e federatës, ai ka rikthyer në tryezë dy emra që konsiderohen favoritë për stolin e kombëtares: Antonio Conte, i mbështetur nga shumë klube të Serie A, dhe Roberto Mancini, ish-trajneri i Italisë dhe një nga emrat më të vlerësuar për rikthimin në krye të ekipit kombëtar.

Dorëheqja e Maldinit dhe Leonardos vjen vetëm 72 orë pasi ata kishin prezantuar para drejtuesve të klubeve të Serie A planin e tyre për rilançimin e futbollit italian, çka e bën edhe më të papritur fundin e aventurës së tyre në federatë.

Përveç zgjedhjes së trajnerit të ri, FIGC do të duhet të emërojë edhe një drejtues të ri teknik për kombëtaren. Megjithatë, prioriteti mbetet plotësimi i stolit të Italisë, ndërsa sipas mediave italiane, vendimi mes Antonio Contes dhe Roberto Mancinit pritet të merret brenda orëve në vijim.

maldini leonardo

Lini një Përgjigje