TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Tetor 2024, 17:27

Ema Çoku, lavatriçja e parave të pista të Monikës dhe Ilirit: Si paguante aktivitetet e LSI dhe kamuflonte milionat e korrupsionit

Shkruar nga Pamfleti
Ema Çoku, lavatriçja e parave të pista të Monikës
Ilir Meta majtas, Kryemadhi dhe Ema Çoku djathtas

Në 22 maj 2024 Ema Çoku ka përpiluar një deklaratë noteriale sipas të cilës në 2010 i ka dhënë Fatime Kryemadhit, hua shumën 220.000 Euro...

Një ndër emrat që del shpesh në dosjen e Metës dhe Kryemadhit është Ema Çoku. Ajo është shoqja e Monika Kryemadhit dhe është përdorur për të kamufluar pasuritë.

Në dosje tregohet se si Ema Çoku paguante aktivitetet e LRI-së apo aktivitetet e tjera të partisë apo përfaqësuesit e kompanive lobuese amerikane që vizitonin Tiranën.

Në një rast madje kishte paguar gati 17 mijë euro blerje të Monikës. Ndërkohë që në 22 maj 2024, Ema Çoku ka përpiluar një deklaratë noteriale sipas të cilës në 2010 i ka dhënë Fatime Kryemadhit, hua shumën 220.000 Euro. Deklarata u firmos pasi Metës ju hapën letrat.

Ajo duket se është përdorur si lavatriçe parash nga çifti Meta-Kryemadhi. Vetë SPAK ka krijuar dyshime kur pa se ajo ishte debitore në banka, por hidhte miliona për LSI dhe Monikën dhe Ilirin. Si duket ata e dinin se do të vinte kjo ditë dhe kanë përdorur persona të tretë për të fshehur transaksionet, por që nuk ju ka ecur shumë.

Dosja e SPAK

Shtetasja Ema Çoku është lidhje e afërt familjare me shtetasit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Kjo shtetase nëpërmjet punonjëses së saj, Vera Bazi, ka paguar në vitin 2013, për aktivitet argëtues të LRI-së, shumën 4.103.605 lekë, ka paguar në vitin 2013 me derdhje cash në bankë për llogari të Hotel Rogner, ka bërë donacione në vlerën 7.000 Euro në vitin 2016 për subjektin LSI, ka përpiluar deklaratë noteriale Nr. 630 Rep. Nr. 234 Kol. datë 06 Shkurt 2019 ku ka deklaruar se gjatë viteve 2011-2019 i ka transferuar shtetases Monika Kryemadhi në llogarinë e saj bankare shumen 16.000 Euro dhe 1.500.000 lekë për blerjet që Monika ka bërë me kartë për llogari të Ema Çokut. Ka përpiluar deklaratë noteriale nr. 1846 Rep, nr. 897 Kol, datë 22 Maj 2024, nëpërmjet të cilës deklaron se në fillim të vitit 2010 i ka dhënë Fatime Kryemadhit, hua shumën 220.000 Euro.

Kompania e saj B.S.K shpk, ka paguar në vitin 2013, shpenzimet e akomodimit në Hotel Rogner për shtatë shtetas të huaj midis të cilëve edhe John Moreira dhe Patrick Faust, shumën 1.142.000 lekë, Vera Bazi, në datën 30 Prill 2013 ka derdhur cash në llogarinë e Hotel Rogner, shumën 10.000 Euro për shërbimin "ushqim dhe pije, banket i LRI-së". Gjithashtu, Vera Bazi në datën 11 Qershor 2014 ka derdhur cash në bankën Intesa Sanpaolo, shumën 300.000 lekë për shërbimin "event" i organizuar ne datën 10 Qershor 2013 nga LRI" dhe në datën 25 Shtator 2014, ka derdhur cash shumën 363.910 lekë për shërbimin "event i organizuar në datën 10 Qershor 2013 nga LRI".

Shtetasja Ema Çoku dhe kompania e saj BSK shpk, kanë qenë vazhdimisht debitorë në bankat e nivelit të dytë për shkak të kredive në vlera te mëdha, si dhe të ardhurat e siguruara nga biznesi bazuar në bilancet e deklaruara në organet tatimore kanë qenë minimale.

Kjo shtetase nëpërmjet nënshkrimit të deklaratës noteriale Nr. 1846 Rep, Nr. 897 Kol, datë 22 Maj 2024, ku deklaron se në fillim të vitit 2010 i ka dhënë Fatime Kryemadhit, hua shumën 220.000 Euro, është përpjekur të ndihmojë Fatime Kryemadhin për të justifikuar shumat e parave që burojnë nga veprimet korruptive te Ilir Metaj dhe Monika Kryemadhi. Në këtë mënyrë, Ema Çoku ka konsumuar veprën penale të "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale", i kryer në bashkëpunim me Fatimen, parashikuar nga neni 287 paragrafi i II-të i Kodit Penal, por e kryer sipas pikës "dh" të paragrafit të parë të këtij neni, nëpërmjet ndihmës së dhënë për të fshehur ose mbuluar natyrën e vërtetë të produkteve të veprës penale.

Po kështu personat nën hetim Ilir Metaj e Monika Kryemadhi, rezulton se duke mos pasur burime të ligjshme për krijimin e pasurive dhe duke e paraqitur atë si fe krijuar me burime të ligjshme, ndonëse pa i deklaruar të gjitha këto pasuri dhe burimet e tyre, kanë konsumuar në bashkëpunim elementët e figurës së veprës penale të "Refuzimit për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike, ose i çdo personi i cili ka detyrimin ligjor për deklarim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale", i kryer në bashkëpunim me Fatimen, parashikuar nga neni 287 paragrafi i II-të i Kodit Penal, por e kryer sipas pikës "dh" të paragrafit të parë të këtij neni, nëpërmjet ndihmës së dhënë për të fshehur ose mbuluar natyrën e vërtetë të produkteve të veprës penale.

Deklarata e Ema Çokut rezulton të jetë firmosur pasi SPAK kishte marrë në pyetje Ilir Metën dhe Kryemadhin dhe ata ishin në dijeni të provave që kishte prokuroria në dispozicion.

"Deklarata noteriale Nr. 1846 Rep, Nr. 897 Kol, datë 22 Maj 2024, ku ajo deklaron se në fillim të vitit 2010 i ka dhënë Fatime Kryemadhit, hua shumën 220.000 Euro, krijon dyshimin e arsyeshëm se është krijuar me qëllimin që të ndihmojë shtetasen Fatime Kryemadhi për të justifikuar shumat e parave të cilat gjithashtu dyshohet se burojnë nga veprimet korruptive të Ilir Metaj dhe Monika Kryemadhi. Kjo deklaratë rezulton se është nënshkruar pas pyetjes së personave nën hetim Ilir Metaj, Monika Kryemadhi dhe Fatime Kryemadhi, vënies në dijeni të tyre në lidhje me faktet e konstatuara nga organi procedues, duke përfshirë dhe mungesën e të ardhurave të siguruara nga burime të ligjshme, për të përballuar jetesën dhe shpenzimet e luksit", thotë SPAK.

 

Lini një Përgjigje