TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Korrik 2026, 08:37

“Besa” e kushtëzuar e Edi Ramës: Ndryshime pa mua s’do të ketë!

Shkruar nga Pamfleti
“Besa” e kushtëzuar e Edi Ramës: Ndryshime pa mua
Karikatura Pamfleti /

"Besa" u paraqit si platformë e mandatit të katërt, por reflektimi i shpallur nga kryeministri rezultoi një strategji pritjeje, për të matur reagimin e protestës, opinionit publik dhe faktorëve që qëndrojnë pas saj...

Edi Rama shpalli të ashtuquajturin reflektim pas dy muajsh protestash, në një fjalim që zgjati 1 orë e 22 minuta. Megjithatë, ai nuk përcaktoi kufijtë e qëndrimit të tij në pushtet dhe nuk ndërmori ndryshime në qeveri që shumë prisnin të ndodhnin dje.

Kryeministri duket se ka lënë të hapur mundësinë për një riformatim të thellë të qeverisjes në një fazë të dytë. Si argument ai paraqiti dy dokumente që u dorëzoi deputetëve të Partisë Socialiste.

I pari, "Besa", si kontrata e tij politike me qytetarët për vazhdimin e mandatit të katërt.

I dyti, një aneks që përcakton mënyrën se si Partia Socialiste duhet ta zbatojë këtë platformë.

Ky "reflektim" nuk ngjan si një lëvizje ofensive. Ai i ngjan më shumë një strategjie pritjeje, për të parë reagimin e opinionit publik, të protestës dhe, mbi të gjitha, të faktorëve që organizuan dhe mbështetën protestën e nisur me kauzën e Zvërnecit.

Pikërisht këtu qëndron edhe mungesa më e dukshme e fjalimit. Edi Rama nuk tha asnjë fjalë nëse do ta çojë përpara projektin ku është përfshirë Jared Kushner në Zvërnec dhe në Sazan.

Vetëm katër ditë më parë, në Sazan u zhvillua një protestë e organizuar nga grupe të shoqërisë civile, e cila mori jehonë edhe në mediat kryesore amerikane.

Rama u kufizua të thoshte se, nëse Bashkimi Europian jep miratimin, atëherë projekti do të ecë përpara. Me këtë qëndrim, edhe pse "Besën" e shpalli dokumentin kryesor të reflektimit të tij, ai nuk mori përsipër asnjë angazhim politik për projektin. Ai nuk dha garanci as për mbështetësit e projektit, as për kundërshtarët e tij. Nuk dha përgjigje as për flamingot, as për "sorrat", metaforë që ai vetë e përdori për kundërshtarët.

Por çfarë ishte në të vërtetë ky reflektim i gjatë, i mbushur me citime nga Alexis de Tocqueville, që në disa momente i ngjante më shumë një ligjërate akademike sesa një deklarimi politik?

Në planin politik, mesazhi ishte i qartë. Ai u drejtohej atyre që kërkojnë largimin e tij. Mesazhi i parë ishte se çdo ndryshim nuk fillon me largimin e Ramës, por me negociata me Ramën. Të paktën, kjo është oferta që ai paraqiti.

Mesazhi i dytë ishte se largimi i tij, nëse do të ndodhë, nuk mund të jetë rezultat i presionit politik apo protestës, por vetëm i një procesi negociues, me kushte dhe garanci.

Mesazhi i tretë lidhej me Partinë Socialiste. Rama nuk afroi dhe nuk largoi asnjë grupim, asnjë lob apo figurë politike. Përkundrazi, ai riafirmoi modelin që ka ndërtuar gjatë 13 viteve në pushtet. Çdo zhvillim politik kalon përmes vullnetit të tij. Të tjerët, sipas këtij modeli, mund vetëm t'i bashkohen vendimeve të tij. Ai nuk i konsideron faktorë politikë më vete.

Po aq domethënëse ishte edhe ajo që Rama nuk bëri. Ai nuk sulmoi ata që e kanë kritikuar publikisht, duke nisur nga Elisa Spiropali dhe figura të tjera që janë larguar nga Partia Socialiste. Nuk ironizoi as ata që qëndruan në heshtje gjatë krizës. Po ashtu, nuk rezervoi asnjë vlerësim të veçantë për ata që e mbështetën në ditët më të vështira.

Kjo tregon se, në konceptin e tij, Partia Socialiste nuk funksionon si një organizatë me ekuilibra politikë, ndjeshmëri apo përfaqësime të ndryshme. Ajo funksionon si një strukturë e centralizuar, me një hierarki të qartë komandimi. Mesazhi që përcolli ishte i thjeshtë: fati i të gjithëve lidhet me fatin e liderit. Nëse ai mbijeton politikisht, mbijeton edhe struktura. Nëse ai bie, pasojat i ndajnë të gjithë.

Megjithatë, gjithçka lë të kuptohet se lëvizjet e mëdha nuk janë braktisur, por janë shtyrë. Është e mundur që në shtator, duke përdorur si bazë "Besën" dhe aneksin organizativ, Rama të ndërmarrë një riformatim të plotë të qeverisë dhe të drejtuesve të institucioneve kryesore.

Kjo zgjedhje i jep atij më shumë hapësirë manovrimi. Nëse do t'i kishte bërë ndryshimet tani, ai do të kishte konsumuar kartat kryesore politike përpara se protesta të hynte në fazën e saj të dytë. Duke i shtyrë për vjeshtë, ai ruan mundësinë për të reaguar ndaj zhvillimeve të reja dhe për të mos e vendosur veten në një pozitë ku çdo lëvizje e ardhshme do të ishte e kufizuar./Pamfleti

 

besa e kushtëzuar e edi ramës

4 Komente

  1. p
    peshkaqeneri

    Besa, platforme per te testuar e zgjatur agonine r tij. A kane bese aligatoret ose korkodilet?.... Aq bese ka edhe Rama.

    1. S
      Sa thase do dorezoje edvin qyqari?

      Analize e sakte

      1. B
        Beni

        O Ed, dil nga bregdeti e shih si jane zaptuar hapsirat, bregu i detit, malet si jane gerryer, postoblloqet qe jane vendosur e nuk te lene te shkosh ne det ne pronen e te gjitheve, ne ate qe Zoti na ka dhene. Po ndejte brenda çitjaneve ne çitjane do mbetesh, por nuk bedoj se nuk keni i informacion çfare po ndodh ju dini dhe pleshtin e llojin qe oligarket e gansteret kane ne....b....por ju oelqen se ne çdo gje jeni aksioner. Ndrysho, reflekto, godit oligarket e kriminelet, ktheji popullit buzqeshjen, nese nuk e beni hap krahun ka plot burra Shqiperia qe ta bej ate nuse siç e meriton, boll, boll, boll....

        1. K
          Keli

          Këput qafën!

          Lini një Përgjigje